Prapaskenat e bojkotit, qeveria pritet të pranojë edhe… TVSH-në 6%

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 23:42

Prapaskenat e bojkotit, qeveria pritet të pranojë edhe… TVSH-në 6%

Prej të premtes, pjesa e futbollit është zbutur në diskursin përballë qeverisë, kjo e nisur prej dy javësh më parë, kur përfaqësuesit e Ligës u bindën dhe pranuan që të dërgonin përfaqësues të tyre në rang specialistësh për të negociuar me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. E teksa gjithçka kulmoi me një takim të presidentit të FSHF-së me kryeministrin Rama, duket se në atë diskutim është pranuar që një masë e gjerë e kërkesave të Ligës dhe sportit në tërësi të merren vërtet në konsideratë.
Liga Profesioniste
GJASAT PËR PRANIM – Teksa Liga ka artikuluar katër kërkesa, bëhet me dije se një prej tyre do të ketë sërish ndryshim nga qeveria për t’iu afruar së tepërmi interesimit të futbollit dhe sporteve. Gazeta “Panorama Sport”, nga burime të besueshme, ka mësuar që sporti ka marrë një garanci nga qeveria që kërkesa në lidhje me TVSH-në 6% do të pranohet. Deri më tani, qeveria ka kaluar në parlament si ligj vendimin që TVSH-ja për infrastrukturën sportive do të jetë 6%. Ndërkohë, së fundmi, duket se maxhoranca aktuale do të pranojë këtë TVSH edhe për aktivitetin sportiv. Thënë ndryshe, në këtë TVSH 6% do të futen edhe reklamat që marrin klubet apo federatat nga ndeshjet që organizojnë, nga biletat që shiten, të cilat do të duhet të deklarohen rreptësisht në shtet si dhe nga aktiviteti futbollistik, nëpër akademi.
fidel ylli
SPONSORIZIMET – Për momentin, këtu ka mbetur edhe ngërçi më i madh. Që pas takimit të dytë të bërë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, deputeti Fidel Ylli ka artikuluar se kërkesa e Ligës dhe oferta nga qeveria me ligjin aktual janë barazuar në vlerat dhe shifrat që kërkohen nga buxheti i shtetit. Ky ishte një lloj sinjali dakordësie në parim. Më tej, ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që deklaroi se ka marrë nga kryeministri Edi Rama një premtim se do të merren në konsideratë kërkesat e Ligës, ku më kryesorja është ligji për sponsorizimet.
Denaj
VARIANTET – Mirëpo, ngërçi është pikërisht në pikën se vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e kundërshtoi akordin me futbollin duke deklaruar se nuk ka akord dhe se i qëndron variantit të ligjit aktual.
lIGA PROFESIONISTE
LIGA DHE BOJKOTI – Në mbledhjen e të hënës, Liga Profesioniste e Futbollit vendosi që të japë kohë për qeverinë deri ditën e enjte, që të ketë një përgjigje pozitive dhe qëndrim zyrtar pozitiv në lidhje me katër kërkesat e adresuara, në mënyrë që të ketë më pas edhe një vendim për ndërprerjen e bojkotit. Deri në përgjigjen e qeverisë, Liga pritet që të ketë një tjetër mbledhje ditën e premte, për të vendosur në bazë edhe të sinjaleve që do të jepen nga maxhoranca aktuale.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"