Prapaskenat e Apolonia-Tirana, flet shefi i arbitrave Kastrati: Nuk u kam zënë pritë, Kraja njeri me probleme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2019 | 23:22

Prapaskenat e Apolonia-Tirana, flet shefi i arbitrave Kastrati: Nuk u kam zënë pritë, Kraja njeri me probleme

OLSI TUJANI

Fitorja e Apolonisë ndaj Tiranës më 22 prill të vitit 2000 është shoqëruar me ngjarje që kanë paraprirë zhvillimin e atij takimi. Teksa kryesori i caktuar për atë ndeshje, Astrit Isufi, ka rrëfyer se është shtirur si i sëmurë, siç edhe i është kërkuar me presion nga disa persona.

tahir kastrati

Ndërkohë, pas rrëfimit ekskluziv në “Panorama Sport”, ka ardhur një tjetër në numrin e djeshëm të gazetës, kur asistenti Kraja në atë takim, ka akuzuar se presidenti i Shoqatës së Arbitrave sot, Tahir Kastrati, me një post drejtues në stolin fierak asokohe, ka qenë pjesë e pritës.

Vetë Kastrati, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, e konsideron shpifje të pavend deklaratën e Krajës, duke ia atribuuar sipas tij mllefit për karrierën që ai ka pasur si arbitër. Kastrati shprehet se nuk ka qenë i pranishëm në pritë, por as në ndeshjen Apolonia-Tirana 2-1.

Profesor, e keni ndjekur pasqyrimin në media të ngjarjes së shkurtit…

Po, e kam ndjekur. Është diçka që u takon atyre që kanë qenë protagonistë që të komentojnë dhe flasin rreth saj.

Ama, ish-asistenti Kraja deklaron se keni qenë edhe ju i pranishëm?

Jo, kjo nuk qëndron. Mund ta thonë vetë ata që kanë qenë prezentë aty, pasi vetëm e thënë nga unë e di që nuk jam i besueshëm.

Çfarë nuk qëndron në deklaratën e Krajës?

Absolutisht që nuk kam qenë i pranishëm. Unë në atë kohë kam qenë sekretar i klubit Apolonia dhe nuk kam qenë fare në dijeni të kësaj ngjarjeje. Nuk kam qenë as i pranishëm. Absolutisht që jo. Këtë mund ta verifikojnë dhe mund të flasin konkretisht qoftë Pjetrushi dhe qoftë kryesori Isufi. Ata janë dëshmitarë okularë që unë në ato ditë jo vetëm që nuk kam qenë në atë takim përpara, por as në stadium.

Po si ka mundësi të mungojë një funksionar klubi në një ndeshje decizive për mbijetesën?

Kam pasur disa probleme familjare. Para halleve shumë të mëdha, njeriu nuk mund të sakrifikojë aq shumë. Me opinionet që janë shprehur, ngjarja edhe mund të ketë ndodhur. Nuk di ta them këtë, ama unë nuk kam qenë në asnjë lloj takimi me gjyqtarë. Madje, me sa kam mësuar edhe më vonë, me sa thuhet për këtë takimin në pritë siç është thënë, Astrit Isufi ju ka thënë: “Ju lutem më kontaktoni që të flas me profesor Tahirin. S’kam punë me juve”. Më tej, këta i kanë thënë që “Ai është i sëmurë. Nuk është këtu dhe nuk ke punë me të fare”. Megjithatë, këto janë gjëra të rëndomta që një ish-arbitër, i cili për probleme të tijat, mund të ketë qejfmbetje dhe gjen momentin që të hedhë baltë. Siç ndodh në Shqipëri rëndom.

Kujt i referoheni për qejfmbetjet, çfarë qejfmbetjesh dhe kush mund t’i ketë?

Qejfmbetje për probleme të arbitrimit më mbrapa. Sepse në atë kohë kur isha sekretar klubi, nuk bëja pjesë në komisionet e federatës. Më vonë kam qenë pjesë e tyre kur ky zotëria (Kraja) ka arbitruar. Ai mund të ketë qejfmbetjet e tij, sipas gjykimit të tij, dhe ka gjetur momentin që të bëjë një shpifje të rëndomtë që është kollaj e verifikueshme nga të gjithë protagonistët e tjerë.

Një prej protagonistëve ju akuzon edhe si ish-dikatorin Enver Hoxha, përveçse thotë që keni qenë i pranishëm. Komenti juaj?

Po çfarë t’i them unë?! Ai gjen momentin për të shprehur mllefin e tij. Por, unë nuk i kam asnjë borxh, as atij dhe askujt tjetër. Përkundrazi, unë jam munduar si president shoqate që ta mbështes. Por, kaq kanë qenë mundësitë e mia përpara atyre të tjerëve që kanë pasur opinione të tjera për atë person.

Për cilët persona bëhet fjalë?

S’ka rëndësi që të hyjmë në detaje.

Po thoni që ka pasur të tjerë drejtues që e kanë penguar në karrierë?

Absolutisht jo unë. Unë në natyrën time, edhe si president i shoqatës, kam detyrë që t’i mbroj gjyqtarët. Por, për rastin konkret ka qenë e pamundur që unë ta mbroja.

Ta mbronit përballë kujt?

Po ç’rëndësi ka që të futemi në detaje të holla. Jua thashë që emri im është përmendur gabimisht, nuk janë të vërteta dhe nuk ka asnjë lidhje. Është lehtësisht e verifikueshme.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"