Prapaskena/ Trajneri i prishi ëndrrën, mbrojtësi i Kukësit do të firmoste në Serinë A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2018 | 23:43

Prapaskena/ Trajneri i prishi ëndrrën, mbrojtësi i Kukësit do të firmoste në Serinë A

Dita e fundit e merkatos mund të kishte dhuruar një surprizë të madhe. Mbrojtësi Albi Alla ishte afër firmës me klubin e Serisë A, Benevento, por gjithçka u prish prej refuzimit të trajnerit Roberto De Zerbi.

Albi Alla Kukesi

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht, se drejtuesit e Kukësit kishin arritur në parim marrëveshjen me klubin e Beneventos, ku bëjnë pjesë aktualisht lojtarët e Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Ledian Memushaj.

xhimshiti

Mësohet se presidenti i skuadrës së vendit të fundit në Serinë A, Oreste Vigorito, kishte dhënë OK-in për të derdhur në arkën e Kukësit një shumë prej 250 mijë eurosh.

trajneri beneventos

Bisedimet kishin nisur në javën e fundit të janarit dhe në momentin që pritej të konkretizoheshin, trajneri i Beneventos frenoi gjithçka.  “E studiova lojtarin, por më duhet një qendërmbrojtës me këmbën e majtë. I kam tre në ekip me të djathtën, Alla është njësoj si Gjimshiti, kështu që nuk na duhet”, mësohet të ketë thënë trajneri i Beneventos, duke injoruar në këtë mënyrë insistimin e drejtorit sportiv të klubit italian për transferimin e pogradecarit.

Alla Kukesi

Kontrata ishte gati dhe Alla do të përfitonte dhjetëfish më shumë pagë se te Kukësi, por nuk ishte e thënë që ky kalim të bëhej. Të mërkurën në mbrëmje u shuajt çdo shpresë, me drejtuesit e Beneventos që dëgjuan trajnerin e tyre. 25-vjeçari, që luan me kampionët në fuqi prej dy sezonesh, ishte ndjekur disa herë nga skaut të klubit italian dhe në këtë merkato shihej si përforcimi i duhur, pasi Benevento donte një qendërmbrojtës.

Alla kishte përparësi, pasi ka pasaportë greke dhe nuk do të cilësohej ekstrakomunitar. Nga ana tjetër, edhe Kukësi do të përfitonte një shumë të majme, teksa kënaqej me 250 mijë euro.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"