Prapaskena/ Tirana merr Shehin, ja si u bind presidenti Halili për durrsakun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2021 | 8:15

Prapaskena/ Tirana merr Shehin, ja si u bind presidenti Halili për durrsakun

Orges Shehi do të jetë trajneri i ri i Tiranës. Pas largimit të Nevil Dedes, ish-portieri i Kombëtares ka parakaluar të gjitha kandidaturat e tjera që kanë qarkulluar mediatikisht ose edhe që i janë propozuar presidentit Halili. Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, ishtrajneri i Skënderbeut dhe Kukësit ka gjetur akord verbal me numrin një të skuadrës më të titulluar në vend, për të çuar përpara projektin e bardhebluve për arritjen e objektivave sezonalë. Sot bëhet prezantimi.
orges shehi
PRAPASKENAT – Halili ka pasur në tryezë një listë emrash që kanë drejtuar në Superiore. Mes tyre, ka pasur edhe preferenca dhe dëshira paraprake që nga e shkuara, por në fund emri i Orges Shehit ka parakaluar të gjithë në vendimmarrjen e numrit një të klubit kryeqytetas. Gazeta ka mësuar edhe prapaskenat e këtij vendimi, për të cilin sot pritet të ketë edhe zyrtarizim, në orën 11:00, në mjediset e “Selman Stërmasit”, kur zyra për shtyp e klubit njoftoi për konferencë zyrtare të stafit teknik të KF Tiranës. Burimet pranë klubit bëjnë me dije se bëhet fjalë pikërisht për prezantimin e trajnerit të ri. Shehi mësohet të jetë përzgjedhur për vetë njohjen që ka të situatës dhe skuadrave të Kategorisë Superiore dhe mënyrës se si funksionon kampionati ynë. Ndeshja e radhës luhet të dielën dhe koha shtrëngon. Për këtë, Tirana dhe drejtuesit nuk kanë kohë për të pritur një trajner tjetër pa eksperienca në elitën e futbollit shqiptar. Jo vetëm kaq, por njohja dhe miqësia me drejtorin Osmani e kanë “sugjeruar” te presidenti Halili. Gjithashtu, Shehi në të shkuarën ka pasur edhe eksperienca si trajner te skuadra e Skënderbeut, por edhe te Kukësi, ku dha sinjale pozitive për bashkim të grupit dhe një filozofi të bukur loje.
ORGES SHEHI
KARRIERA – Orges Shehi në karrierën e tij ka fituar përvojë të madhe duke qenë pjesëmarrës në Europa Ligë, në fazën e grupeve me Skënderbeun, por edhe pjesë e Europianit me Kombëtaren në “Euro 2016”. Sa i përket karrierës në drejtim, Shehi ka qenë pjesë e Skënderbeut për 45 ndeshje në periudhën 18 qershor 2018 deri më 30 qershor 2019 me mesataren 1.69 pikë për ndeshje. Më tej, ai ka qenë pjesë e Kukësit në periudhën 2 mars 2020 deri më 30 qershor 2020 në 13 ndeshje, me një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"