Prapaskena në Korçë / Kazakët vunë në lëvizje Policinë e Shtetit, dyshime për eksploziv në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 11:54

Prapaskena në Korçë / Kazakët vunë në lëvizje Policinë e Shtetit, dyshime për eksploziv në stadium

Drejtuesit e klubit nga Kazakistani, Kairat Almati, dyshuan për eksploziv në stadiumin “Skënderbeu” para ndeshjes së dy ditëve më parë në Korçë. “Panorama Sport” zbardh ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë Drejtorisë së Policisë Korçë kërkesën e kazakëve pak orë para fillimit të sfidës, që vuri në lëvizje jo vetëm Forcat Speciale, por edhe ato të antiterrorit.

skenderbeu kairal almati korce

“Klubi kazak kishte kërkuar masa të rrepta sigurie që një ditë para ndeshjes. Edhe pse udhëtimi nuk ishte i gjatë nga hoteli ku ishte grumbulluar Kairati deri në stadium, Policia e Shtetit vendosi që kazakët të shoqëroheshin me Forca Speciale. Por, kjo nuk ishte kërkesa e vetme. Klubi i Kairatit kërkoi që stadiumi ku do të luhej ndeshja të ishte i sigurt, pasi dyshimet e tyre shkonin deri aty sa mund të ishte vendosur eksploziv në stadium.

Kishin një lloj frike, por policia i mori të gjitha masat për të hequr çdo dyshim të palës kazake. Forcat e antiterrorit kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në stadium dy orë para ndeshjes. Është ushtruar kontroll edhe me qen antieksploziv, por gjithçka ka rezultuar alarm fals”, tregon për gazetën një burim i sigurt në drejtorinë e Policisë së Shtetit.

SITUATA

Në fakt, masa të rrepta policie ka pasur para, gjatë dhe pas ndeshjes së luajtur të enjten në Korçë. Përveç masave nga policia vendore e qarkut Korçë, prezentë kanë qenë dy grupe të Forcave Speciale dhe Forcat e Antiterrorit. Paraditen e së enjtes, dhjetëra forca kanë vëzhguar nga afër ambientet e stadiumit, në një kontroll që ka zgjatur disa orë, përpara se të bëhej edhe ai për eksploziv.

Për mbarëvajtjen e ndeshjes, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kishte angazhuar 240 forca policie nga komisariatet vartëse të qarkut dhe disa dhjetëra Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të pasur një aktivitet normal. Në fund gjithçka rezultoi efikase dhe nuk pati asnjë incident në stadium, teksa tifozët korçarë treguan edhe një herë qytetari të lartë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"