Prapaskena me transferimin, ja si ia “drodhi” Cetkoviçi-Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2018 | 16:13

Prapaskena me transferimin, ja si ia “drodhi” Cetkoviçi-Tiranës

Marko Cetkoviç ia “dredh” Tiranës. Kur klubi po bëhej gati që ta zyrtarizonte si blerjen e parë për projektin “Superiore”, një “sms” e befasishme ka përmbysur gjithçka. Ashtu siç gazeta kishte shkruar një ditë më parë, malazezi edhe pse arriti akordin me drejtuesit bardheblu, dje u prezantua te Sutjeska Nikshiq.

cetkovic akua daja

Pa kaluar as 24 orë, për të mos thënë shumë më pak se kaq, 31-vjeçari ka ndryshuar mendje. Edhe pse marrëveshja nuk u përmbyll me firmë, gazeta zbuloi se ditën e martë lojtari erdhi enkas në Shqipëri për të folur me krerët e klubit më të titulluar në vend. Tirana vetëm për ta bindur ishte gati që t’i plotësonte çdo kusht financiar. Burime për “Panorama Sport” thonë që lojtari pretendonte diçka më tepër se 6 mijë euro dhe klub nuk ia prishi, duke qenë se e donte me çdo kusht në ekip. Gjithçka u përmbyll me shtrëngim duarsh dhe në takimin e radhës palët do të takoheshin për të mbyllur kontratën. Historia ndryshoi sapo lojtari kaloi kufirin dhe shkeli në tokën malazeze, ndërsa me një mesazh u ka thënë “jo” drejtuesve bardheblu. “Nuk mund të rri larg familjes”, ishte ky motivacioni i “tradhtisë” së Cetkoviç. Sigurisht që ky fakt ka xhindosur Tiranën, pasi i kishte bërë planet që mesfushës t’i shtonte fantazi me një futbollist të tillë.

575e9c9d-7c78-4fd3-bbc0-5aa10a0a0a64-cetkovic-718x446

Më shumë se familja, duket se 31-vjeçari ka luajtur me dy porta për të testuar ambientin dhe arritur qëllimin e tij, derisa dje në mesditë u prezantua te kampionët e Sutjeska Nikshiq, të cilët siç ka pohuar edhe ai vetë i kanë ofruar rrogë edhe më të ulët sesa Tirana. Nuk është e para herë që Marko Cetkoviç vepron në këtë formë me shqiptaret. Fiks një vit më parë, e njëjta histori ngjau me Partizanin. Ndërsa pritej që të rinovonte me të kuqtë, në momentin e fundit vendosi që të braktiste negociatat dhe të firmoste për Mlladost Podgoricën. Më 13 qershor 2017 ai u prezantua në ekipin e vendlindjes, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe dje me kampionët në fuqi të Sutjeskas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"