Prapaskena/ Ibra i Shqipërisë do debutojë me Olimpiakosin, grekët duan të na e marrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 13:13

Prapaskena/ Ibra i Shqipërisë do debutojë me Olimpiakosin, grekët duan të na e marrin

“Zlatan Ibrahimoviçi i ri është gati të debutoj për Olimpiakosin”. Talenti shqiptar, Emiljano Bullari, vetëm 17-vjeç, ka “pushtuar” dje faqet e para të gazetave greke. I “pagëzuar” si i Ibrahimoviçi i ri, për vetë karakteristikat që ka me gjigantin suedez, është thirrur nga trajneri i Olimpiakosit, Pedro Martins, që të jetë gati për ndeshjet e radhës në kampionat dhe Ligën e Europës.

emiliano bullari

“Një nga talentet më të mëdha të akademisë është në dispozicion të Pedro Martins. Pas dëmtimit të sulmuesit Dimitris Manos, trajneri i ka besuar 17- vjeçarit shqiptar që ka lindur në Greqi. Bullari është ‘diamanti’ i Olimpiakosit, pasi ka bindur me paraqitjet e tij dhe jo më kot klubi nxitoi të firmoste një kontratë profesionale për 5 vite me të riun që në moshën 16-vjeçare. Sezonin e kaluar ai ndihmoi Olimpiakosin U17 për të fituar kampionatin e kësaj grupmoshe, duke shënuar 12 gola.

emiliano bullari

Në gjurmët e tij kanë qenë edhe skuadra italiane e Lacios, por Olimpiakos e kuptoi shpejt se me çfarë lojtari kishte të bënte. Bullari është rritur në Greqi, por ka luajtur me Kombëtaren U-17 të Shqipërisë. Këtë sezon e ka nisur me Olimpiakos U-19 dhe prej pak ditësh po stërvitet me ekipin e parë”, shkruante dje portali i mirënjohur helen, “sport24.gr”, që shkon edhe më tej, duke konfirmuar se Greqia është interesuar zyrtarisht për të ftuar Bullarin në kombëtare. Në fakt, sulmuesi 1.90 metra i gjatë nuk u grumbullua së fundmi nga Erjon Bogdani te Shqipëria U-19, ndërsa i ka kaluar mosha për të luajtur me U-17, që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç. Me kuqezinjtë e vegjël ka luajtur 5 ndeshje në edicionin e kaluar, ndërsa ka shënuar dy gola.

PRESIONI – Tashmë, presioni rreth lojtarit është i madh, sepse Olimpiakosi kërkon ta shtyjë drejt kombëtares helene. Bullari shihet si e ardhmja e sulmit, për më tepër që Greqia është në një krizë të madhe sa i përket zbulimit të një qendërsulmuesi tipik. “Trajneri Martins pritet ta aktivizojë nesër ndaj OFI-it dhe të enjten e ardhshme në Ligën e Europës kundër Dudelanxhit. Bullari ka lindur në vendin tonë, kështu që mund të luajë për Greqinë, pavarësisht se ka qenë pjesë e Shqipërisë U-17.

bullari
Titulli i portalit grek ku e krahason me Zllatanin

Në Shqipëri po mendojnë për ta thirrur në Kombëtaren A, duke e aktivizuar qoftë edhe një minutë, në mënyrë që t’i djegin shansin për të zgjedhur Greqinë në të ardhmen”, zbulojnë mediat greke. Ndërkohë, “Panorama Sport” ka kontaktuar dje me menaxherin e të riut, Angjelos Veizi, i cili konfirmoi se ka pasur interesim nga Greqia, ndërsa theksoi gjithashtu se drejtori i ekipeve kombëtare, Xhemal Mustedanagiç, është interesuar së fundmi për t’i konfirmuar të riut se është në planet e FSHF-së. Mirëpo, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim. Së fundmi, në të njëjtën pozitë ishte edhe qendërmbrojtësi Enea Mihaj, por u aktivizua ndaj Jordanisë pak minuta, duke pësuar një dëmtim të rëndë, që do ta lërë jashtë për dy muaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"