Prapaskena, Flamurtari kërkon Ekubanin. Vlonjatët gati të bënin çmenduri financiare, por sulmuesi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2018 | 22:57

Prapaskena, Flamurtari kërkon Ekubanin. Vlonjatët gati të bënin çmenduri financiare, por sulmuesi…

Skuadra po zhvillon fazën përgatitore, ndërkohë që merkato nuk është mbyllur ende. Për skuadrën vlonjate ka ende dëshira të paplotësuara dhe po kryhen tentativa në vazhdimësi për të kompletuar skuadrën për sezonin e ri. Së fundmi, në skenë ka dalë edhe një lojtar që la gjurmë në kampionatin shqiptar. Ish-sulmuesi i Partizanit, Ekuban, është shtuar së fundmi në listën e dëshirave dhe po punohet rreth tij.

Ekuban gol Luftetarit

KONTAKTET – Flamurtari interesohet për Ekubanin, por, me sa duket, është mision i pamundur. Me shumë mundësi, ish-sulmuesi i Partizanit nuk do të kthehet në Shqipëri, gjë që e pamundëson realizimin e objektivit të skuadrës vlonjate. Drejtuesit e Flamurtarit mësohet se kanë kontaktuar edhe me menaxherin e Ekubanit, por lojtari duket i interesuar që të luajë në një kampionat tjetër dhe jo në atë shqiptar. Rikthimin e Ekubanit e kërkoi edhe Partizani, por lojtari nuk erdhi, ndërsa synimi i tij është të vijojë karrierën në një kampionat elitar.

Një sezon më parë, 2016-2017, Ekuban ishte pjesë e Partizanit dhe më pas u transferua te Lids Junajtid. Ky i fundit, me sa duket, do ta shesë Ekubanin, por në një tjetër kampionat, jo në Shqipëri. Së fundmi, trajneri Bielsa e ka nxjerrë jashtë planeve dhe sulmuesi do të duhet që të gjejë një tjetër skuadër për të vijuar karrierën e tij. Momentalisht, Lids është në kërkim të një skuadre për ta huazuar sulmuesin që do të përmbushë edhe kërkesat e tij. Seria B italiane është pista më e mundshme momentalisht, nga e cila ka disa interesime në adresë të lojtarit.

MUSTAFA – Ndërkaq, me Flamurtarin është bashkuar edhe Argjent Mustafa. Lojtari me shumë gjasa do të jetë pjesë e kuqezinjve, pavarësisht se duhet që fillimisht të kalojë testin e Dajës, i cili po shikon gjendjen fizike të tij. Pista të tjera janë edhe Cuculi dhe Halla, por deri më tani nuk ka gjëra konkrete, ndërsa pritet përgjigjja nga lojtarët.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"