Prapaskena e merkatos, Kukësi dështoi në limit për një serb. Iu ofrua rroga e majme, por sulmuesi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 13:18

Prapaskena e merkatos, Kukësi dështoi në limit për një serb. Iu ofrua rroga e majme, por sulmuesi…

Kukësi zhvilloi një merkato të larmishme këtë verë, e megjithatë pretendimet për sulmin ishin të mëdha. Edhe pse Harbës iu dha një shans deri në janar, ai nuk është ndër të preferuarit e stafit teknik. E për këtë motiv, Armando Cungu dëshironte një tjetër qendërsulmues, veç Rexhinaldos. Gazeta mëson se drejtuesit kanë tentuar të bëjnë një afrim “big” në limit, por gjithçka dështoi për shkak të rrogës. Bëhet fjalë për Fejsal Muliç, një emër jo i panjohur për verilindorët, të cilin e kërkuan edhe para se të nisnin Kupat e Europës.

fejsal mulic

Sulmuesi serb, që luan për Hapoel Tel Aviv, mund të transferohej te Kukësi. Drejtuesit tentuan ta bindin 23- vjeçarin, por çdo gjë dështoi për shkak të pagesës shumë të lartë që lojtari kërkoi. Para Kupave të Europës ai kërkoi 20 mijë euro në muaj, e cila ishte e papërballueshme për buxhetin e Kukësit, por jo vetëm të tij, por thuajse prej të gjitha ekipeve shqiptare.

Në fund të qershorit çdo gjë stopoi, por vetëm para pak ditësh bisedat nisën sërish. Klubi arriti që t’ia mbushte disi mendjen, duke i ofruar 10 mijë euro në muaj plus bonuse. Por çmimi i fundit që gjiganti prej 203 centimetrash kërkoi ishte 15 mijë euro, shto këtu edhe bonuse. Nga llogaritë e bëra sërish ishte e pamundur që Kukësi të paguante një shifër të tillë për një lojtar të vetëm. Kështu që negociatat u mbyllën pa sukses e Muliç vijoi karrierën në Izrael.

Duke parë forcën dhe cilësitë e lojtarit, drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, por dhe drejtuesit e tjetër të Kukësit, ishin të bindur se me “gjigantin” sulmi do ishte blinduar, pasi ai dhe Rexhinaldo do të mund të formonin një dyshe vërtet të frikshme. Por, në fund të fundit llogaritë shkonin përtej kësaj. Me Muliç, klubi pretendonte që të mbushte “arkat”. Nëse ai do të vinte dhe sigurisht do shkëlqente në fushë, fundi i sezonit mund të sillte shitjen e tij. Dhe bazuar te karakteristikat që ai ka, vlera e tij në treg mund të shkonte së paku në 1 milion euro. Mosha e tij e re, CV-ja e mirë, kanë bërë që drejtori Nexhipi të insistonte për afrimin e shtatlartit, paçka se lëvizja nuk u realizua.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"