Prapaskena e largimit të Allës, i dha garanci avokati më i njohur grek

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2017 | 14:35

Prapaskena e largimit të Allës, i dha garanci avokati më i njohur grek

“Më gjeni numrin e Albit, e zgjidh vetë këtë çështje”. Një telefonatë e juristit të shquar grek, Aleksis Kujas, në fundin e muajit maj largoi përfundimisht nga Kukësi mbrojtësin Albi Alla. “Panorama Sport” zbulon arsyen pse lojtari 24-vjeçar injoroi thirrjen e Kukësit për vazhdimin e kontratës.

Albi Alla Kukesi

Alla mori garanci të plotë nga njeriu që në Greqi njihet si avokati më i fuqishëm. Në një kohë që qendërmbrojtësi kishte në dorë disa oferta, ajo që erdhi nga klubi i AEL Larisës dukej më bindësja, por problem qëndronte klauzola në kontratën me Kukësin. Lojtari detyrohej të luante deri në përfundimin të angazhimit të klubit në Ligën e Kampioneve, mirëpo për grekët kjo pikë e kontratës konsiderohej e paligjshme dhe e pabazuar në rregullat e FIFA-s.

Ditët po kalonin dhe Alla bashkë me menaxherin e tij, Fotis Paparegas, nisën të konsultoheshin me një avokat për hapat që do të ndërmerrnin. Mirëpo, situatën e mori në dorë vetë Aleksis Kujas, i cili ishte fiksuar për të afruar Allën në skuadër. Kujas është njëkohësisht president i klubit të Larisës dhe lojtarin me origjinë nga Pogradeci e njihte që kur ky i fundit luante te Panahaiqi i Patrës.

“Unë e pashë kontratën, ti je lojtari ynë. Qëndro i qetë, asgjë nuk do të ndodhë”, mësohet t’i ketë thënë Allës kreu aktual i klubit të Larisës, i cili, përveçse është një jurist shumë i njohur, ka qenë president edhe në skuadra si AEK, Aris, Veria, Iraklis, PAS Janina, Lamia dhe Panahaqi. Kujas është gjithashtu një ish-futbollist, ndërsa në vitin 1997 nisi të administronte klube në Superligën greke. Madje, në vitet 2000, Kujas ka negociuar edhe me ish-presidentin e Partizanit, Albert Xhani, për të qenë aksioner në klubin e kuq.

Alla Larisa

Tri ditë më parë, Kujas doli para mediave greke dhe si për koincidencë në krahun e tij të majtë kishte pikërisht Allën. Ky i fundit nuk ngurroi ta falënderonte për mundësinë që i kishte dhënë. “Falënderoj presidentin që më solli te Larisa, do të jap gjithçka për këtë ekip”, deklaroi mbrojtësi në prezantimin si lojtari i ri i Larisës, ku ka firmosur një kontratë 3-vjeçare.

alla kujas

Mirëpo, Kukësi pretendon se Alla ka shkelur kontratën dhe në këto kushte do 500 mijë euro dëmshpërblim. Në klubin kampion të Shqipërisë thonë se do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, duke bërë padi në FIFA. Tashmë kundërshtar nuk kanë thjesht Allën, por një nga juristët më ekspertë, që punën e tij të parë në Greqi e ka si të fitojë gjyqet.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"