PRAPASKENA/ Do shkonte në Zvicër, por Xhejmsin e bllokoi… Austria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 16:24

PRAPASKENA/ Do shkonte në Zvicër, por Xhejmsin e bllokoi… Austria

Skënderbeu merr një “goditje” para ndeshjes së fundit në fazën e grupeve të Ligës së Europës kundër Jang Bojsit. Dje, teksa skuadra po bëhej gati të udhëtonte drejt Bernës, sulmuesi Xhejms Adeniji nuk ka mundur të pajiset me vizë. Lojtari ka dorëzuar dokumentacionin në ambasadën zvicerane në Tiranë pak ditë më parë, bashkë me lojtarët e tjerë afrikanë të Skënderbeut, por sërish nuk ka mundur të marrë vizën.

xhejms

Gjatë së mërkurës, drejtuesit e klubit kanë bërë çmos për zgjidhjen e situatës, duke u ankuar edhe në UEFA. Klubi njoftonte dje se jo të gjitha shtetet e zonës “Shengen” kanë dhënë aprovimin për dhënien e vizës. Një situatë e çuditshme, sepse edhe UEFA ka qenë e pafuqishme për të zgjidhur problemin.

Xhejms

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se i vetmi shtet i zonës “Shengen” që nuk dha aprovimin e vizës për nigerianin Xhejms ishte Austria. E pabesueshme, por e vërtetë, në një kohë që sulmuesi do të udhëtonte drejt Zvicrës dhe jo shtetit austriak. Gjithsesi, edhe në udhëtimet e mëparshme, gjithnjë ka pasur probleme në pajisjen me vizë të sulmuesit nga Nigeria.

REAGON TAKAJ – “Nuk i kanë dhënë vizën ‘Shengen’. Edhe pse shpresonim që gjithç- ka do të rregullohej sot (dje), ende nuk ka një përgjigje nga ambasada. Është diçka absurde, pasi vetëm Xhejmsit nuk ia kanë aprovuar. Është e pakuptimtë kjo situatë”, ka thënë fillimisht menaxheri i klubit, Gerhard Takaj, për “Panorama Sport”.

takaj

Ndërkohë, i pyetur për shanset që ka sulmuesi nigerian për të udhëtuar sot në mëngjes drejt Zvicrës nëse i aprovohet viza, ai sqaron: “Varet nëse na vjen konfirmimi herët në mëngjes. Gjithsesi, do të ishte e lodhshme të fluturonte gjatë së enjtes dhe më pas të ishte në fushë. Të shohim se çfarë do të na thonë, pavarësisht se gjithë kjo situatë është absurde. Ne udhëtojmë për të luajtur futboll, ndërsa na pengojnë lojtarët. E çuditshme”.

MUNGESAT – Skuadra korçare nuk do të ketë sot asnjë sulmues të mirëfilltë në dispozicion. Xhejmsi ishte planifikuar nga trajneri Ilir Daja për të qenë në majën e sulmit, por në mungesë të tij, Skënderbeu do të ketë në fushë një lojtar të improvizuar.

Soue

Si për ironi të fatit, sot, bardhekuqtë nuk kanë të gatshëm as sulmuesit Ali Soue dhe Martin Nespor për shkaqe dëmtimi. Ndërkohë, klubi konfirmon se e sigurt është edhe mungesa e mbrojtësit Marko Radas, si dhe mesfushorit Bruno Dita. Kësisoj, mungesat për korçarët shkojnë në 5 ndaj Jang Bojsit.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"