Pranon se nuk e njeh ekipin, por trajnerit të Kamzës i kërkohet… Europa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2018 | 16:11

Pranon se nuk e njeh ekipin, por trajnerit të Kamzës i kërkohet… Europa

Drejtuesit e Kamzës u takuan të enjten me trajnerin italian, Pietro Vierkovud, dhe tashmë janë duke u bërë dhe tratativat e fundit për të kurorëzuar akordin mes palëve. Ish-kampioni i botës në vitin 1982 me Italinë mësohet se nuk ka pasur kërkesa të larta financiare, por gjithsesi u ka bërë të qartë drejtuesve se nuk e njeh kampionatin shqiptar dhe kërkon kohë derisa të injektojë mentalitetin e tij në skuadër.

Trajneri

Kryebashkiaku Xhelal Mziu dhe presidenti Naim Qarri i kanë premtuar italianit ruajtjen e grupit dhe disa përforcime. Ai ka marrë garanci për nisjen e një projekti ambicioz me klubin që i shpëtoi rënies nga elita në javën e fundit të Superiores. Mziu dhe Qarri duan që Kamza të jetë pretendente për Europën në sezonin e ri. “Kampionatin shqiptar e njoh shumë pak ose aspak. Gjithsesi, kjo është një mundësi e mirë për mua që të shpalos idetë e mia. Më pëlqeu ideja dhe plani që drejtuesit më parashtruan, megjithatë do të shikoj me vëmendje gjithçka. Pas fjalëve nga kryebashkiaku dhe presidenti, jam optimist.

Drejtuesit kanë dëshirën e mirë për të bërë diçka të rëndësishme. Pasi jam njohur me objektivat dhe synimet e klubit, por dhe me përbërjen e disa lojtarëve, jam i bindur dhe nuk kam frikë që unë të jap një kontribut të çmuar për ta çuar përpara këtë skuadër”, ka thënë Verikovud për “Panorama Sport”. Italiani preferon më shumë skemën 4-4-2 dhe, mbi bazën e kësaj skeme loje, ai mund të marrë përsipër mënyrën e rindërtimin të skuadrës së re. Trajneri ka kërkuar që të marrë me vete edhe stafin e tij teknik.

Në ditët e ardhshme do të konkretizohet gjithçka, por italiani mund të quhet i konfirmuar, edhe pse nuk përjashtohet ndonjë surprizë. Drejtuesit kanë premtuar se do të ndërtojnë një Kamzë më të fortë, duke i besuar pankinën trajnerit italian, pikërisht për të kapur pse jo një vend që të çon në Europë sezonin tjetër.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"