Pranë firmës me klubin polak, Kukësi bllokon Ethemin. Ja prapaskenat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 7, 2020 | 23:20


Pranë firmës me klubin polak, Kukësi bllokon Ethemin. Ja prapaskenat (E PLOTË)

Kukësi bllokon për momentin transferimin e Valon Ethemit te klubi polak, Zaglebie Lubin. Mesfushori 22- vjeçar vetëm pak ditë më parë njoftoi largimin nga Kukësi, duke sqaruar se i kishte përfunduar kontrata me verilindorët. Nuk vonoi shumë dhe lojtari gjeti menjëherë skuadrën e re, teksa arriti marrëveshjen me Zaglebie Lubin. Vetëm tri ditë më parë ai kaloi me sukses edhe vizitat mjekësore, por në momentin kur pritej që klubi polak të zyrtarizonte kontratën me shqiptarin nga Maqedonia e Veriut, ndodhi një befasi nga Kukësi. Klubi verilindor pretendon se në kontratën që ka pasur me lojtarin para 3 vitesh, përfshihej një klauzolë që ai të ishte pjesë e skuadrës edhe për Kupat e Europës.

Ethemi

Pikërisht me këtë ide, Kukësi kërkon që ta ketë lojtarin edhe për kualifikueset e Ligës së Europës, dhe kjo mund të sjellë dështimin e kalimit te Zaglebie Lubin. Mësohet se klubi kuksian u ka dërguar një shkresë polakëve, duke i vënë në dijeni për këtë pikë të kontratës. Mirëpo ky pretendim nuk pranohet nga lojtari dhe përfaqësuesit e tij, por që mund të jetë shkak për dështimin e transferimit. Në fakt, lojtari i mëshon faktit që nëse Kukësi shkon në fazën e grupeve në Europa Ligës, nuk nënshkruan dot për klub tjetër, pasi digjen afatet e transferimeve, prandaj dhe pretendon që klauzola nuk është e rregullt. Gjithsesi, te Kukësi janë të vendosur dhe nuk tërhiqen kur thonë se Ethemit i përfundon kontrata pas Kupave të Europës dhe se nuk nënshkruan dot askund tjetër.

KLUBI – Në një prononcim për “Panorama Sport” në lidhje me këtë çështje, zyrtarisht nga klubi sqarojnë: “Ethemi është futbollist i Kukësit. Kontrata e tij përfundon pas Kupave të Europës”. Kësisoj, klubi nuk do ta lejojë lojtarin të largohet deri në momentin që Kukësi të përfundojë aventurën në Kupat e Europës.

ETHEMI

Gazeta mëson se klubi i Kukësit i ka çuar një shkresë homologëve polakë, prandaj tani me gjasa reale mund të dështojë transferimi dhe për këtë arsye nuk i japin lejen e kalimit futbollistit. Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe lojtarin për këtë çështje, por ai nuk është përgjigjur.

Pas një kalvari ishfutbollistësh me probleme me kontratat me Kukësin, si Gledi Mici, Albi Alla, Izair Emini, Enea Koliçi, Elton Kale etj., tashmë mbetet për t’u parë se si do të shkojë çështja e Ethemit. Nëse lojtari do të zyrtarizohet si transferim në Poloni, Kukësi do të përfitonte vetëm si kompensim për formimin e tij, pikërisht një shumë prej 60 mijë eurosh. Tashmë Kukësi rrezikon të mos e përfitojë as këtë shumë nëse Ethemi nuk zyrtarizohet deri më 3 tetor në Poloni, kur dhe mbush 23 vjeç

SKERDILAID SULOZEQI 

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com