Prandeli: Me Anglinë ishte sfidë epike…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2014 | 8:43

Prandeli: Me Anglinë ishte sfidë epike…

PrandeliFitorja kundër Anglisë në ndeshjen e parë në kampionatin botëror ka rritur optimizmin tek Italia për triumfin në Brazil, por trajneri Prandeli, përpos vlerësimit për lojën, shprehet se rruga është e gjatë për në finale. Në konferencën për shtyp, në krah të trajnerit të italianëve, ishte i ulur Mario Baloteli, i cili me golin e tij vulosi dhe rezultatin e ndeshjes. Paraqitjen e sulmuesit Prandeli e ka komentuar me këto fjalë: “Mund të bëjë më shumë se kaq dhe këtë koncept ia kam shprehur. Duhet të mësojë se lëvizjet e sulmuesit janë për të finalizuar aksionet. Me potencialin që ka, ai mund të bëjë më shumë”.
Ndeshje epike Ndërsa për sa i përket ekipit, numri një i të kaltërve, ka fjalë të ëmbla: “Serioziteti në stërvitje dhe vuajtja në fushë, këto na bëjnë një skuadër të madhe. Po t’i marrim kokë më kokë, nuk kemi lojtarë aq të fortë sa Anglia, por ne u treguam të zotë duke shfrytëzuar çdo hapësirë. Pak skuadra e kanë kualitetin tonë në mesin e fushës dhe klasin e Pirlos. Ishte një ndeshje epike, të cilën nuk do ta harrojmë kurrë, pasi luajtëm kundër një prej ekipeve më të mira të Botërorit.
Ambienti Të luash në Amazonë, ishte e vështirë siç u parashikua, kjo pasi temperaturat janë të larta dhe këtë fakt Prandeli e ka vënë në dukje: “Vendosëm të vinim me vonesë në Manaus pasi po përgatiteshim me intensitet në Koverçano, – shpjegon ai. – Pa ‘time out’ do të ishte një çmenduri, por për fat të mirë arbitri u tregua i ndjeshëm. Është e vështirë të rikuperosh topin dhe të japësh spektakël në këto kushte, megjithatë jam i kënaqur”.
Dëmtimi i Bufonit Një koment në fund edhe për mungesën e madhe në kampin e të kaltërve. “Bufon u dëmtua dhe për fat të keq koha nuk ishte e mjaftueshme për rikuperimin e tij. Xhixhi u përpoq shumë që të ishte në fushë, po për fat të keq nuk ia doli. Sirigu gjithsesi u tregua mjaft i zoti dhe jo më kot ka luajtur si protagonist në Ligën e Kampioneve”. Më tej italiani ndalet dhe te Verrati: “Marko luajti një ndeshje të mirë, por më pas kisha nevojë për një lojtar me karakteristikat e Tiago Motës ndaj dhe e zëvendësova”. Në fund Prandeli e mbyll duke folur për kundërshtarin e ardhshëm të italianëve, Kosta Rikën: “Tani duhet të fitojmë ndaj tyre, pasi në të kundërt nuk kemi bërë asgjë. Në fillim, asnjë nuk fliste për Kosta Rikën, ndërsa ne e dinim që më parë se është një kundërshtar tepër i fortë dhe e tregoi veten”.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"