Prandeli, i shkarkuar nga “senatorët” e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2014 | 15:06

Prandeli, i shkarkuar nga “senatorët” e tij

Prandeli dhe PirloNjë njeri ambicioz si Çezare Prandeli, që e konsideroi udhëtimin për në Brazil si më të rëndësishmin në karrierë, nuk demoralizohet nga rezultatet dhe as nga eliminimi i Kupës së Botës. Sipas të përditshmes italiane “la Gazzetta dello Sport”, pas largimit të tij fshihen prapaskena të tjera, të cilat janë të lidhura me përçarjen e grupit të lojtarëve. Më poshtë do të lexoni dhe arsyet që e shtynë Prandelin të largohej.
Pakt i qartë – Kombëtarja e Çezares lindi katër vite më parë dhe kishte si princip një pakt të qartë mes tij dhe lojtarëve. Filozofia e tij ishte e mirëmenduar: “Ju propozoj një sfidë të re, të bazuar në lojën e mbajtjes së topit dhe atë të një futbolli sulmues. Jeni dakord?”. Skuadra u përgjigj me entuziazëm “po”. Pakti i dytë kishte në parim kodin etik. Të gjithë duhet t’u nënshtrohen rregullave dhe asnjë nuk duhet t’i shkelë ose t’i injorojë ato.
Sipas kokës së tij – Më pas diçka nuk shkoi sipas parashikimeve dhe degjeneroi pakënaqësitë brenda grupit. Si fillim grumbullimi i Mario Balotelit, i cili ndryshonte dhe modulin e lojës. Së dyti, ndeshjet kualifikuese për në Botëror filluan pa grumbullimin e Kasanos, i cili në Europianin e fundit kishte krijuar një humor të keq te “senatorët” e ekipit për shkak të sjelljes së tij aspak korrekte. Në fillim Prandeli luante në sulm me El Sharauin dhe Xhuzepe Rosin, të cilët alternoheshin nga Insinje. Mirëpo lojtarët me kalimin e kohës humbën besimin e trajnerit, i cili vendosi më pas t’i besonte eksperiencës së Kasanos. Trajneri vuri bast edhe te Baloteli, duke lënë në shtëpi disa nga lojtarët që gëzonin respektin e grupit: Toni, Xhilardino dhe Destro, për të bërë disa emra. Një tjetër zgjedhje e Prandelit, me të cilën nuk u pajtuan “senatorët” e kaltër, konsistonte te ndryshimi i pozicionit të Pirlos, i cili, për shkak të aktivizimit të Verratit, nuk luante në rolin e tij natyral në mesfushë.
Ballafaqimi – Shpërthimi i irritimit të Bufonit me shokë, që deri në atë çast kishin akumuluar shumë mllef ndaj Prandelit, ishte në ndeshjen e fundit kundër Uruguait, përballje decizive për kalimin e grupit. Qëndrimi i Balotelit dhe ai i Kasanos nuk u përtyp dot nga blloku i lojtarëve të Juventusit, të mbështetur edhe nga Daniele De Rosi, që më pas vunë në shënjestër dhe trajnerin. Kapiteni i të kaltërve, pas eliminimit nga ana e Uruguait, nuk duroi dot më dhe pa pyetur asnjë, duke injoruar dhe Prandelin, nxori në shesh “të palarat” dhe problemet e shumta mes grupit, duke drejtuar gishtin kundër Balotelit dhe Kasanos. Dy lojtarët që në përfundim të takimit kundër Uruguait u sulmuan nga pjesa tjetër e ekipit. Në këtë pikë erdhi edhe vendimi i Prandelit për të prezantuar dorëheqjen. Kritikat nga veteranët e Italisë, që kundërshtonin zgjedhjet e bëra nga trajneri ndikuan te ky i fundit për të marrë vendimin për t’u larguar, pasi s’e kishte më grupin nën kontroll. Pakti u prish dhe e vërteta pas largimit të trajnerit fshihet te presioni i vazhdueshëm që i është bërë nga ana e lojtarëve më me peshë në kombëtare. Grupi mesazhin e tij ja kishte lënë trajnerit të kuptohej që përpara nisjes për në Brazil, por Prandeli vendosi të vepronte me kokën e tij dhe tani paguan pasojat. Me shumë gjasa, problemet që kanë dalë në pah nga aventura e Brazilit do të ndikojnë edhe te tekniku i ri, të cilit i duhet të rindërtojë një skuadër, që kurrë më parë nuk ka qenë kaq e përçarë.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"