Posti i drejtorit teknik te Tomori, zbulohen 2 kandidatët që janë në “pole”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2021 | 0:23

Posti i drejtorit teknik te Tomori, zbulohen 2 kandidatët që janë në “pole”

Tomori është “zgjuar”. Pasi u zbulua lajmi se në bashki kanë nisur negociatat për të afruar tre donatorë të rinj nga kryeqyteti, në klub po mendojnë për “kupolën” drejtuese. Pa kaluar ende te trajneri i ri apo organika për sezonin 2021-2022, do të zgjidhet drejtori teknik. “Panorama Sport” mëson se kryebashkiaku ka marrë në shqyrtim dy kandidatura për këtë post.

Tomori

Nuk bëhet fjalë për emra çfarëdo, por figura të mirënjohura në Berat. Kristaq Mile dhe Theodhori Arbëri janë në “garë” për këtë rol. Ervin Demo, i cili ka tagrin për të bërë emërime, si president i Tomorit, pritet që shumë shpejt të vendosë se kujt do t’ia japë këtë detyrë të rëndësishme. Numri një i institucionit vendor po i merr në konsideratë, pas propozimit që i ka ardhur nga ana e specialistëve të njohur të futbollit beratas dhe shoqatës së tifozëve. Kanë qenë pikërisht ata, që kanë kërkuar që drejtori teknik të zgjidhet mes Miles dhe Arbërit.

Kristaq Mile Tomori

Gazeta ka kontaktuar me të dyja kandidaturat, ndërsa ka siguruar informacionin e plotë se kryebashkiaku Demo i ka marrë zyrtarisht në konsideratë të dy emrat e kandidatëve për këtë post. Sot pritet edhe prononcimi zyrtar i dy ikonave të futbollit beratas, Mile dhe Arbëri, në lidhje me propozimin e bërë si dhe angazhimin e tyre në rast të një përzgjedhjeje të mundshme nga kreu i Bashkisë Berat.

Thodhori Aberi

ORGANIKA – Tomori është i gjithi “i skaduar”. Që prej fundit të majit, lojtarëve u kanë mbaruar kontratat dhe zyrtarisht janë të lirë të treg. Vërtet ndonjë është sistemuar diku tjetër, por ka nga ata që po presin edhe klubin. Shumica e futbollistëve duan të qëndrojnë në Berat dhe kjo është kuptuar prej deklaratave që kanë edhe në media.

Nëse u vjen një ofertë për të zgjatur marrëveshjen (e cila sigurisht do të jetë e kënaqshme edhe financiarisht) do të qëndrojnë. Në situatën që beratasit janë, duhet të ndërtojnë ekipin nga e para. Vërtet në klub thonë se koha premton, e megjithatë rrisku qëndron te “varfëria” e tregut. Vonesa mund t’u heqë mundësinë që të bindin ndonjë lojtarë cilësor, që do t’u bënte punë për kampionatin që starton zyrtarisht më 11 shtator.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"