“Poshtëruan fanellën, të zhduken”, administratori Idrizi tërbohet pas humbjes me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 23:37

“Poshtëruan fanellën, të zhduken”, administratori Idrizi tërbohet pas humbjes me Skënderbeun

“Shpërthen” administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. Tejmase i mërzitur nga ekipi, kreu i klubit vlonjat priti që deri dje lojtarët të reagonin, duke kërkuar të paktën ndjesë për atë paraqitje të turpshme ndaj Skënderbeut.

idrizi

Mirëpo, në momentin kur asnjë prej tyre nuk ka telefonuar Idrizin, ky i fundit nuk ka duruar më, duke lajmëruar për një mbledhje urgjente që do të zhvillohet sot në zyrat e klubit. Dje, në një bisedë për “Panorama Sport”, administratori theksoi ndër të tjera se asnjë nuk mund të poshtërojë fanellën e Flamurtarit.

ZHGËNJIMI

“Ka një histori të thjeshtë, unë nuk pashë Flamurtar në fushë ndaj Skënderbeut. Nuk e panë tifozët dhe as qyteti. Ne që kemi përgjegjësinë do ta mbajmë mbi shpatulla të gjithë bashkë. Nuk është përgjegjës individi, është i gjithë grupi. Nesër (sot) do të mbledh ekipin, por ideja është që ata lojtarë që nuk e ndiejnë, të largohen.

fla sken

Unë nuk kam qejf të bëj nihilistin, sepse kam treguar se mund t’i ‘fshij’ të gjithë. Ky ishte ekipi që ishte pretendent për dy vendet e para dhe ja se si është tani në këtë gjendje. Unë e kam më shumë te shpërfytyrimi i ekipit. Nëse kanë probleme të tjera, të m’i thonë mua dhe kaq. Kam dhënë shembuj edhe pak vite më parë, duke larguar një ekip të gjithë. Unë këta futbollistë i respektoj si grup. Është një nga grupet më të mira që unë kam punuar deri më sot.

Por, ka një problem që unë nuk pashë në fushë ekip në ndeshjen e fundit. Mund të mundesh edhe 10- 0, nuk ka problem, sepse futboll është, por ky ekip nuk e di çfarë është. Vetëm ekip futbolli nuk ishte atë ditë. Ka tri ditë që kanë kaluar nga humbja dhe unë nuk kam parë një reagim nga vetë lojtarët. Keni parë ju ndonjë reagim?

Skenderbeu-Flamurtari

Nuk ka reagim. Nuk e di, nëse këta e përtypin lehtë pastaj, do të thotë që më kanë zhgënjyer në kuptimin e fanellës. Nëse e kanë përtypur si një histori si ajo ‘pamë ca gjëra, morëm ca gjëra dhe ikëm’, nuk është normale. Unë nuk i njoh si të tillë, ndaj nuk i kam takuar, pasi pres që të reagojnë vetë. Por ata nuk po reagojnë dhe nuk e di se çfarë ‘ halli kanë. Nuk e di ku janë prishur ekuilibrat, cilat janë gjërat që nuk shkojnë. Gjithsesi, do të flas më konkretisht me ta të enjten”, ka thënë fillimisht Idrizi.

SITUATA

Administratori Idrizi u jep përgjigje edhe zërave që qarkullojnë se lojtarët nuk luajnë për shkak se mund të mos jenë paguar. Por, thekson se kush do të largohet nga Flamurtari, të ikë që sot dhe të mos presë muajin maj. “Unë me histori palaçosh nuk merrem më. Aludimet se nuk ka paga te Flamurtari është një histori që nuk ia vlen ta diskutosh. Sfidoj çdo njeri, të vijnë të shikojnë kontratat. Nëse kanë hapur këto histori, janë gjëra koti. Kush do të qëndrojë te Flamurtari, të rri, kush do të iki, të iki. Kush do të luajë, të luajë. Më qartë se kaq nuk ka.

flamurtari skenderbeu

Të respektojnë fanellën. Unë nuk shikoj reagim, po pres deri sot (dje) ka kaluar e hënë, e martë e mërkurë, nesër do t’i mbledh vetë. Do t’ua bëj të qartë; ata që nuk janë të kënaqur, kanë probleme të tjera, të marrin çantën dhe të ikin. I heq që tani unë, nuk pres majin dhe qershorin. Nuk ka mbi fanellën e Flamurtarit dhe mbi qytetin. Të poshtërohet në atë mënyrë futbolli dhe lojtarët të dalin me kokën lart, sikur nuk ka ndodhur asgjë, kjo nuk shkon.

flamurtari skenderbeu

Qyteti pret reagim, nuk pres unë. Unë nuk jam asgjë te Flamurtari. Ne kemi bërë maksimumin e mundshëm si drejtues. Hajdeni të flasim. Kush nuk respekton fanellën, do të iki. Nuk ka shanse”, theksoi administratori, i cili në fund komentoi edhe situatën e trajnerit Shpëtim Duro, që sipas tij është i paprekshëm. “E përsëris, që nuk është Duro ai që do të ikë. Duro do të ikë i fundit nga Flamurtari. Ata që nuk mbajnë dot fanellën, do të ikin. Të tjerët të ikin që tani, të shkojnë të gjejnë ekip aty ku kanë folur. Kush do të gjej ekip, të shkoj, të largohet nga Flamurtari”, përfundoi kreu i klubit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"