Kristiano Ronaldo çon Portugalinë drejt gjysmëfinales

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2012 | 17:04

Kristiano Ronaldo çon Portugalinë drejt gjysmëfinales

Portugalia në gjysmëfinale. Vendos një gol i Kristiano Ronaldos, i cili, pas dy shtyllash, ka arritur të thyejë më në fund portierin Peter Ceh. Një gol për luzitanët, por që mjafton për t’i dërguar ata në gjysmëfinale të “Euro 2012”. Një triumf i merituar ndaj Cekisë, sepse kjo e fundit nuk mund të fitonte vetëm duke u mbrojtur, me një sulm thuajse inekzistent. Vetëm se traktikisht, trajneri Bilek ia ka bërë jetën të vështirë Portugalisë, duke e nxjerrë deri në njëfarë mase nga “binarët”, ndërsa luzitanët kanë gjetur rrugëdalje vetëm përmes aftësive individuale të lojtarëve të vet. Në këtë mënyrë ka ardhur edhe goli i vetëm i ndeshjes, që vlen kualifikimin e Portugalisë, falë Kristiano Ronaldos që shfaq sërish potencialin e vet maksimal, si një lider i formacionit të Paolo Bentos. Meritë e padiskutueshme e yllit të Realit të Madridit që Portugalia mbërriti në cerekfinale, por tashmë edhe që e ka kaluar me sukses këtë “stacion” të turneut të kësaj vere, për të qenë gjysmëfinalistja e parë e “Euro 2012”, në pritje të emrit të kundërshtarit, që do të dalë nga ballafaqimi tjetër cerekfinal, Spanjë-Francë.

CEKI-PORTUGALI  0-1
Goli: Ronaldo 79′
Cekia (4-2-3-1): Cech; Gebre Selassie, Kadlec, Sivok, Limbersky; Plasil, Hubschman (Pekhart 86′); Jiracek, Darida (Rezek 61′), Pilar; Baros. Trajner: Bilek
Portugalia (4-3-3): Rui Patricio; Joao Pereira, Pepe, Bruno Alves, Fabio Coentrao; Meireles (Rolando 87′), Veloso, Moutinho; Nani (Custodio 84′), Postiga (Hugo Almeida 85′), C. Ronaldo. Trajner: Paulo Bento
Arbiter: Webb (Angli)
Kartone te verdhe: Nani, Veloso (P);  Limbersky (R)

Portugalia luajti në stilin e vet kundër Çekisë, më shumë e orientuar drejt sulmit, me dy krahë të mesfushës tepër funksionalë dhe të impenjuar, të cilët e detyruan kundërshtarin të mbrohej me të gjitha forcat, duke harruar totalisht sulmin, repart në të cilin cekët kishin vetëm Milan Barosh. Por, ky i fundit, ashtu si në të gjitha këto finale të “Euro 2012”, ishte vecse një zhgënjim. I izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës, ish-sulmuesi i Liverpulit nuk arriti ta rrezikojë qoftë edhe një herë të vetme portën portugeze. Nëse u krijuan dy-tri momente të vështira në prapavijën luzitane, kjo ishte më tepër meritë individuale e Jiracek dhe Pilar, dy eksponentë që ranë sadopak në sy te formacioni thellësisht mbrojtës i trajnerit Bilek. Gjithë pjesa tjetër e skuadrës ceke ishte e preokupuar vetëm të mos pësonte gol. Ndihet shumë mungesa e Rozickit në mesfushën ceke, kur dihet se lojtari i Arsenalit është truri i skuadrës. Nuk ka fantazi dhe as frymëmarrje loja e cekëve, përvecse stërmundim dhe djersitje pa fund në rreshtimin me shumë forca në zonën e vet të 16 metrave. Një filozofi loje që u mendua se po e dërgonte këtë cerekfinale në kohën shtesë, edhe për shkak se portugezët po i braktiste fati. Kristiano Ronaldo godet dy herë shtyllën e portierit Peter Ceh, por topi nuk do të shkojë në rrjetë. Kjo i streson dhe i ngarkon disi psikologjikisht luzitanët, megjithatë qetësinë nuk e humbasin, as mënyrën e rrjedhshme dhe të qartë taktike të të dalurit në kundërsulme të shpejta. Topat vijnë dendur nga të dy krahët për në qendër të sulmit, ku cekët ia dalin ta largojnë rrezikun dhe ta mbajnë portën e vet të paprekur deri 11 minuta nga fundi i ndeshjes. Pikërisht në të 79-tën minutë, Ronaldo shpërblehet më së fundi, teksa topin e goditur me kokë, i gjendur të pika e penalltisë, e përplas fillimisht në tokë dhe pastaj e kalon përmes duarve të Peter Ceh, duke e pushuar në rrjetë. Dorëzohet Cekia, në delir Portugalia. Ronaldo, ashtu si edhe në ndeshjen paraardhëse ndaj Holandës, kur realizoi dy gola, bëhet vendimtar në kualifikimin e Portugalisë. Ai është “lokomotiva” e skuadrës luzitane, është celësi i suksesit të derikëtushëm, por edhe ylli që duket se do ta ndricojë ende rrugën nëpër të cilën skuadra e Paolo Bendos duket e vendosur ta përshkruajë.  Kujtojmë se luzitanët dhe çekët, veç faktit se synonin gjysmëfinalen e turneut të kësaj vere, kishin edhe pika të tjera historike, në të cilat mund të frymëzoheshin dhe gjenin motive ekstra për të kërkuar maksimumin. 16 vjet në parë, çekët ishin ata që fituan në çerekfinalen ndaj Portugalisë, në Kampionatin Europian të luajtur në Angli. Golin e suksesit do ta shënonte Karel Poborski. Këtë herë, talentet e drejtuar nga Paulo Bendo, me Kristiano Ronaldon në krye, tentuan hakmarrjen dhe ia arritën. Gjithcka erdhi falë lojës nga krahët, që është arma më e fortë e portugezëve, e cila bazohej në shpejtësinë, talentin dhe forcën e Kristiano Ronaldo, Luis Nanit e Fabio Koentraos.
Fillim i kujdeshëm Në fillim të ndeshjes, të dyja palët duket se hezitojnë të zhbilancohen e të hedhin vështrimin qartësisht në sulm. Madje, e tërë pjesa e parë është skajshmërisht e kujdesshme, edhe pse Ronaldo do t’i vijë më afër golit. Portugalia do të përpiqej të merrte kontrollin e lojës në gjysmën e dytë të ndeshjes, duke dërguar një numër të konsiderueshëm të shtënash në kuadratin e Peter Ceh, por ishte e detyruar të përballej në masë të madhe me përpjekjet gati heroike e stoike të mbrojtjes çeke, e cila kishte ësuar më shumë gola se askush tjetër në ndeshjet e grupeve, por kësaj here u paraqit thuajse hermetike. Megjithatë, Ronaldo do ta zgjidhte fatin e ndeshjes me golin e tij të tretë në këtë turne, duke e dërguar Portugalinë në gjysmëfinale, për herë të parë që nga viti 2004. Ndryshimi i vetëm për të dyja formacionet ka qenë përfshirja e Vladimir Darida përpara Daniel Kolar në mesfushë, për Republikën Çeke, e cila gjithashtu luante pa kapiten Tomas Rozicki, i dëmtuar në tendinën e Akilit. Mes një pranie tifozësh të konsiderueshëm, çekët vetëm sa arrijnë ta shtyjnë në kohë ndëshkimin, por jo ta evitojnë atë. Sikurse thamë edhe më sipër, pas një fillimi studiues e tepër të kujdesshëm, Portugalia do të fillojë të ketë një përmirësim në lojë, duke shmangur topin e gjatë dhe aplikuar sulmin nga krahët, në përpjekje për të bashkërenduar tërë potencialet ofensive të saj, me Ronaldon, si gjithmonë, në zemër të gjërave. Megjithatë, “Seleccao” ka humbur njërin nga sulmuesit e vet kryesor në minutën e 39-të, Helder Postiga, që u dëmtua gjatë një dyluftimi dhe u zëvendësua me Hugo Almedia. Ky ndryshim nuk e brengos shumë Portugalinë, megjithatë vuan të gjetjen e golit. I shkon shumë afër rrjetës kundërshtare, por janë shtyllat e portës së Peter Ceh, ato që i thonë dy herë “jo” Ronaldos.
Portugalia Portugalia “mbijetoi” në një grup ferri, ku në fakt nuk ishte cilësuar si favorite për t’ia dalë mbanë. Djemtë e Paulo Bentos arritën që të eliminojnë Danimarkën dhe Holandën dhe me meritë të plotë siguruan një “biletë” për në çerekfinalet e Evropianit. Sfida e radhës nuk dukej e vështirë në letër për luzitanët, të cilët përballeshin me Çekinë surprizuese. Këta të fundit, edhe pse me shumë luhatje në lojën e tyre, realizuan një fitore heroike në ndeshjen kundër Polonisë, duke marrë një kualifikim të paparashikuar. Një duel në çerekfinale, që në fakt kishte diferenca të mëdha në aspektin kualitativ mes ekipeve, cka kushtëzoi edhe rezultatin përfundimtar, që ishte në favor të luzitanëve. Këta të fundit kanë qenë një nga skuadrat që kanë marrë më shumë vlerësime për lojën e zhvilluar. Krahasuar me edicionet e kaluara, këtë herë portugezët kanë treguar qartazi se kanë bërë një punë të shkëlqyer në mirorganizimin e reparteve. Më saktë, janë evituar në maksimum problemet në mbrojtje, ndërkohë që reparti ofensiv është një rrezik konstant me kundërsulmet e shpejta. Futbollistë si Ronaldo dhe Nani janë të vështirë për t’u markuar dhe rrezikojnë si me aksione vetjake, ashtu edhe me gjuajtje nga distanca apo asistet që japin për Helder Positgën. Janë një skuadër tepër e përgatitur në goditjet standarde, gjë të cilën e kanë treguar edhe me golat e shënuar, ku bie në sy “shfrytëzimi” me zgjuarsi i karakteristikave të lojtarëve si Bruno Alvesh dhe Pepe. Një tjetër element që e ka bërë më të fortë se në të shkuarën Portugalinë e Bentos është edhe mentaliteti. Ndërsa më parë, në ekip kishte vetëm tre apo katër lojtarë që luanin në klube të mëdha, tashmë më shumë se 70% e formacionit përbëhet nga futbollistë që kanë fituar trofe të rëndësishëm dhe janë pjesë e elitës së Evropës me klubet ku aktivizohen.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"