Portugali-Zvicër, nisin finalet e Ligës së Kombeve. Ja ç’duhet të dini për turneun që “zëvendësoi” miqësoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2019 | 16:49

Portugali-Zvicër, nisin finalet e Ligës së Kombeve. Ja ç’duhet të dini për turneun që “zëvendësoi” miqësoret

Portugali-Zvicër, sot ora 20:45, ngre si parin e finaleve të Ligës së Kombeve, të cilat do të luhen në tokën e kampionëve të Europës.

uefa liga e kombeve

24 orë më vonë, Anglia do të takohet me Holandën në Guimaraesh, në gjysmëfinalen e dytë që do të përcaktojë çiftin finalist. Më poshtë po iu rifreskojmë edhe njëherë kujtesën me gjërat që duhet të dini për turneun që u krijua nga UEFA për të eliminuar ndeshjet e shumta miqësore.

Çfarë është Liga e Kombeve?

Turneu që fillimisht përfshiu 55 ekipet kombëtare të zonës së UEFA-s u krijua për të minimizuar numrin e miqësoreve të pakuptimta dhe rritur konkurrencën.

Cili është formati i turneut?

55 kombëtaret u ndanë në katër kategori: A, B, C dhe D, bazuar në renditjen e tyre në UEFA dhe secila nga këto liga u nda në katër grupe: 1, 2, 3 dhe 4, të përbëra nga 3 dhe 4 skuadra. Mes muajit shtator dhe nëntor 2018, skuadrat e secilës ligë u përballën me njëra-tjetrën me sistem vajtje-ardhje.

Skuadra që u rendit në vend të fundit në secilin prej grupeve, u rrëzua një ligë më poshtë, me përjashtim të Ligës D. Ndërsa skuadra që kryesoi grupin u ngjit dhe fituesit e grupit të Ligës A (Anglia dhe Holanda, së bashku me dy gjysmëfinalistet e tjerë, Portugalia dhe Zvicra), u kualifikuan në fazën finale të turneut. Do të ketë edhe një finale të vogël për të nxjerrë fituesin e vendit të tretë dhe një finale që do të vendosë fituesin e parë të Ligës së Kombeve.

Pse finalet luhen në Portugali?

Finalet e Ligës së Kombeve do të zhvillohen gjithnjë në një prej vendeve që janë kualifikuar nga Liga A. Portugalia ishte i vetmi vend nga katër finalistet që aplikoi për t’i organizuar finalet, së bashku me Poloninë dhe Italinë, dy vendet e tjera që shfaqën interes fillestar. Por, të tria këto skuadra u shortuan në Grupin A3, kështu që fituesi i këtij grupi do të kishte të drejtën për të mirëpritur ndeshjet finale. Portugalia u konfirmua organizatore nga UEFA më 3 dhjetor, në të njëjtën ditë që u hodh edhe shorti.

Ku do të luhen ndeshjet?

Portugalia dhe Zvicra do të ndeshen në gjysmëfinalen e parë sot, më 5 qershor, në “Estadio do Dragao” të Portos, ndërsa stadiumi më i vogël i Guimaraeshit, “Estadio D. Afonso Henriques”, do të presë gjysmëfinalen e dytë mes Anglisë dhe Holandës një ditë më vonë. Finalja e Vogël mes dy humbëseve të këtyre dy gjysmëfinaleve do të zhvillohet në Guimaraesh, ndërsa finalja do të luhet në “Dragao”. Që të dyja ndeshjet do të luhen të dielën, më 9 qershor.

Çfarë ndikimi ka në “Euro 2020”?

Dy skuadrat e para të 10 grupeve kualifikuese të “Euro 2020” (20 ekipe) do të kualifikohen automatikisht në finalet e turneut. Katër vendet e tjera do të kualifikohen përmes Ligës së Kombeve. Katër fituesit e grupeve të secilës ligë (16 skuadra në total) do të luajnë ndeshjet e “play-off”-it në mars 2020 për të siguruar një nga katër vendet e mbetura.

Formati do të jetë me sistemin gjysmëfinale “play-off”, pasuar nga një finale për ligë, me skuadrën fituese nga secila nga Ligat A, B, C dhe D që do të zënë katër vendet e fundit fituese në finalet e “Euro 2020”. Nëse një nga këto skuadra do të jetë kualifikuar përmes fazës eliminatore të kompeticionit, atëherë bileta e tyre do të shkojë për skuadrën që renditet më lart në kategorinë respektive të Ligës së Kombeve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"