Portieri “skanon” fazën, Moçka: Flamurtari i mungon Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2021 | 15:37

Portieri “skanon” fazën, Moçka: Flamurtari i mungon Superiores

Shpëtim Moçka është “blerja” më e madhe e Flamurtarit. Me merkaton që vazhdon të jetë e bllokuar, rikthimi i tij ka qetësuar kuqezinjtë. Portieri nuk bëhet aspak pishman për vendimin që mori, ndërsa premton se nuk do të kursehet që të ndihmojë lojtarët e rinj.

Flamurtari Mocka

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 31-vjeçari paralajmëron një ekip më të fortë në pjesën e dytë të sezonit.

Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë dhe jemi të gatshëm për ta përballuar garën. Flamurtari ka në përbërje lojtarë me perspektivë. Vërtët hanë djem të rinj, por që po të ndërthuren më së miri me eksperiencën. Mendoj se do të bëjmë një punë të mirë në fazën e dytë. Ka lojtarë të talentuar, që kanë dëshirën për të treguar veten. Sa i takon rikthimit tim, jam shumë i kënaqur. Nuk bëhem pishman. Ekipi më priti mirë. Do të bëj të pamundurën për të ndihmuar lojtarët e rinj në ecurinë e tyre, që të shkojnë sa më lart”, tha fillimisht gardiani.

GARA – Moçka pret fitoren ndaj Turbinës. E lehtë nuk do të jetë, por portieri beson te pikët në Cërrik. “E dimë që me cërrikasit do të jetë një përballje e fortë, por ne i kemi të gjitha mundësitë për ta nisur mbarë këtë fazë. Do të shkojmë atje për të marrë maksimumin. Ne jemi Flamurtari dhe nuk i druhemi asnjë kundërshtari. Në aspektin personal, unë jam i gatshëm për nisjen e fazës së dytë dhe për të dhënë maksimumin në transfertën e parë me Turbinën. Do të jap më të mirën time për ta mbajtur portën të paprekur dhe të ndihmoj ekipin. Jemi të ndërgjegjshëm që në Kategorinë e Parë gara është e ashpër dhe shumë e fortë, por ne jemi Flamurtari dhe shkojmë përpara me kokën lart. Kështu që, mendoj se që në start do ta nisim mbarë dhe i kemi të gjitha mundësitë për këtë”, tha 31-vjeçari.

OBJEKTIVI – Moçka mendon se Flamurtari i mungon Superiores dhe shpreson që të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur. “Flamurtari i mungon elitës. Shpresoj që të rikthehet sa më shpejt. Objektivi i klubit është të punojmë dhe të vazhdojmë sa më lart në renditje. Të gjithë bashkë do të japim maksimumin për ta ngjitur aty ku i takon këtë ekip me emër të madh dhe traditë në futbollin shqiptar”, përfundon portieri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"