Portieri nuk e bën dramë humbjen e vetme, Bakaj: Dinamo, për Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 15:52

Portieri nuk e bën dramë humbjen e vetme, Bakaj: Dinamo, për Superiore

Edvan Bakaj “skanon” Dinamon. Është më shumë se i lumtur për zgjedhjen që ka bërë, ndërsa hapur e thotë që u rikthye për të ngjitur kryeqytetasit. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, portieri nuk e bën dramë humbjen kundër Erzenit dhe paralajmëron kthesën e menjëhershme. Edhe pse këtë fundjavë rrezikojnë të humbin kreun, 32-vjeçari nuk shqetësohet. Ai qartëson se llogaritë do t’i bëjnë në fund, kur të kapin matematikisht elitën.

Bakaj Edvan

Edvan, si duket gjendja e ekipit pas humbjes së parë që pësuat?

Gjendja është optimale, pavarësisht humbjes. Ishte e para për këtë sezon dhe shpresojmë që të mbetet e fundit. Jemi ndërgjegjësuar pas asaj disfate dhe jemi të vendosur që të mobilizohemi për të mos e përsëritur të njëjtin gabim si me Erzenin. Prej ditësh po stërvitemi dhe mezi po presim ndeshjen e radhës, për t’u rikthyer në fushë dhe bërë autokratikë.

Çfarë nuk shkoi kundër Erzenit, ishit ju në një dite “jo” apo kundërshtari i fortë?

Mendoj se ishin të dyja nga pak. Ne ishim në një ditë “jo” dhe kjo i ndodh çdo skuadre, madje edhe më të mëdhave në botë. Pastaj, edhe Erzeni ishte një skuadër tjetër nga ajo e fazës së parë. Gjithsesi, kjo humbje erdhi në momentin e duhur dhe do të na shërbejë për të ardhmen. Na solli pak me këmbë në tokë, pasi rivaliteti është shumë i madh. E megjithatë, objektivi ynë nuk ndryshon që është ngjitja në Superiore.

Ju vjen keq që prishët edhe rekordin e golave të pësuar?

Çdo portier synon që të pësojë sa më pak gola dhe kjo është logjike. Gjithsesi, kjo gjë nuk ndikon tek unë. Nuk mund të mërzitem për këtë pjesë, pasi e rëndësishme është që të fitojmë dhe jo rekordet.

Burreli është vetëm një pikë larg dhe këtë javë mund t’jua marrë kreun. A vendoset në rrezik objektivi “Superiore”?

Është e vërtetë, Burreli është një pik larg nesh tashmë, por kampionati është ende shumë i gjatë dhe do të ketë rokada pozicionesh. Por, ne do t’i bëjmë llogarit tona vetëm në fund.

Si ndihet Bakaj te Dinamoja?

Te Dinamoja ndihem super. Më kanë pritur në mënyrë perfekte si presidenti dhe administratori, gjë që më ka bërë të ndihem si në shtëpi. Shpresoj që me eksperiencën time t’ua shpërblej besimin.

Pas Partizanit, Tiranës, tani edhe Dinamo, i keni provuar që të tria ekipet e kryeqytetit…

Po, është e vërtetë. Çdo ekip ka pasur të veçantën e vetë në rrugëtimin tim si futbollist. Te Partizani u rrita si lojtar, te Tirana arrita kulmin profesional bashkë me fitimin e titullit kampion dhe tani te Dinamoja kam ardhur të jap maksimumin dhe ndihmoj të ngjitet në elitë, edhe pse kjo është hera e dytë që luaj për Dinamon…

Si është të punosh me Morieron dhe Mikolin?

Moriero dhe Mikoli janë dy njerëz shumë të mirë para se të jenë trajner. Ndihem shumë mirë, ashtu si e gjithë skuadra. Shpresoj që me eksperiencën e tyre të na ndihmojnë që të rritemi akoma me shumë si individë dhe si skuadër. Janë shumë profesionistë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"