Portieri karikon Pogradecin: E mposhtim Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2012 | 11:01

Portieri karikon Pogradecin: E mposhtim Skënderbeun

Liqenorët vazhdojnë të jenë nën trysninë e ndeshjes së fundit, nga ku përballja tepër e vështirë me Skënderbeun i detyron ata të thellohen dhe të mendojnë shumë më tepër për këtë takim. Në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” duhet të ketë vetëm një fitues: nëse Skënderbeu fiton, shpallet kampion dhe në anën tjetër nëse Pogradeci del fitues, ai siguron “play off”-in. Mirëpo, korçarët kërkojnë kurorëzimin për të dytin vit radhazi, kurse Pogradeci kërkon t’i sfidojë për të qëndruar në Superiore. Të besuarit e Ylli Çekiçit duhet medoemos që të shkarkohen nga emocionet dhe të rifitojnë sa më shpejt besimin në forcat e tyre dhe njëkohësisht të tregojnë vlera deri në fund të takimit. Portieri maqedonas, Ilce Petrovski, në një bisedë për “Panorama Sport” e shikon këtë takim si deciziv për ekipin e vet. Ja se si shprehet ai: “Pa dyshim që është një ndeshje vendimtare për ekipin tonë, pasi një humbje na zbret automatikisht në Kategorinë e Parë. Në shtëpi, në shumë raste, kemi dhënë rezultate të shkëlqyera, ndaj unë kam besim se do ta mbyllim me sukses sfidën me Skënderbeun. Unë do të jem pjesë e barrikadës pogradecare, që të mos lejoj të pësojmë gol, duke pasur edhe ndihmesën e mbrojtjes. Besoj shumë në lojën e ekipit tim, pasi në mjaft raste kur mobilizohemi arrijmë atë që duam. Më vjen keq, – vazhdon Petrovski, – që kemi arritur deri këtu, megjithatë për këtë takim të vështirë na jepet shansi të mbijetojmë. Jam i bindur se duke parë kushtet në të cilat ndodhemi, do të bëjmë gjithçka për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar”, – përfundon portieri i Pogradecit.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"