Portieri i Vllaznisë: Kam marrë oferta, fatin tim do ta vendos pas sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2020 | 21:56

Portieri i Vllaznisë: Kam marrë oferta, fatin tim do ta vendos pas sezonit

Alen Sherri duket larg Vllaznisë. Portieri edhe pse nuk ka vendosur për të ardhmen, hapur e thotë se do të shqyrtojë çdo mundësi që do t’i vijë nga kjo merkato vere. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, gardiani pohon se ka marrë disa telefonata gjatë kësaj periudhe. Ashtu si kolegët e tij, edhe 22-vjeçari po pret me padurim që të rinisë futbolli. Edhe pse rikthimi do të jetë i vështirë dhe rreziqet janë të pashmangshme, shkodrani i bën apel shtetit që të marrë një vendim një orë e më parë.
Sherri

Alen, si kanë qenë këto dy muaj izolim?
Të vështira, por si për të gjithë. Pavarësisht mbylljes, jam përpjekur që të mbaj trupin në formë dhe dita të mos jetë e mërzitshme. Jam stërvitur individualisht, edhe pse kushtëzohesh shumë. Gjithsesi, ndihem mirë fizikisht, ndaj them se ia kam dalë. Tani jam i gatshëm për të startuar seancat stërvitore me grupin.

Ndeshjet do të zhvillohen të njëpasnjëshme në një kohë të shkurtër. E shihni si problem këtë ngarkesë për lojtarët?
Sigurisht, por ne do të japim gjithçka në fushë për të mos mbetur pas ekipeve të tjera. Ende nuk kemi filluar stërvitjen kolektive, ndërkohë që disa ekipe po e bëjnë këtë me grupe të vogla. Kjo periudhë do të kërkojë më shumë sforco, por duhet të rifillojmë sa më shpejt për ta kaluar këtë situatë.
Vllaznia-Tirana
Vllaznia pret të rikthehet në kampionat për t’iu larguar pozicionit në të cilin gjendet, ndryshe rrezikoni sërish Kategorinë e Parë.
Nëse gjithçka mbyllet këtu, Vllaznia do të dalë e dëmtuar. Forcat tona do të jenë të gjitha në kampionat për të lënë sa më shpejt vendin e 8-të në të cilin gjendemi. Nuk mendoj se do ta mbyllim në atë pozicion dhe të rrezikojmë deri në fund.

Kjo periudhë e gjatë pushimi si ka ndikuar te ju personalisht, por edhe te futbollistët e tjerë?
Ka qenë një periudhë e ngarkuar fizike dhe psikologjike. E megjithatë, pasojat më të rënda do të ndihen në planin fizik. Megjithatë, le të shpresojmë që kjo që ndodhi të shërbejë për refleksion. Ta shohin atë si një gjë të nevojshme jo vetëm për jetën tonë, por edhe për veten. Jetës do t’i mungonte disi bukuria pa futbollin.

Pas këtij sezoni do të jeni sërish pjesë e Vllaznisë, apo do të shihni të tjera alternativa?
Kontrata ime me Vllazninë përfundon në fund të këtij sezoni, kështu që do të shoh edhe alternativat e tjera që kam. Pastaj do të vendos se cila do të jetë më e mira për mua personalisht.

A keni patur oferta?
Të them të drejtën, kam patur oferta ose më saktë disa telefonata konkrete nga klube të ndryshme. Mendoj se kam kohën e duhur për ta parë me qetësi dhe për të reflektuar mbi të ardhmen.

Apeli juaj për qeverinë në lidhje me rifillimin e kampionatit.
Të merret një vendim i drejtë dhe gjithëpërfshirës sa i takon rinisjes së garës. Të mos shihen futbollistët si një shtresë që po e përballon këtë situatë pa probleme ekonomike. Ky është një pushim i detyruar dhe jo të gjithë po e kalojnë rehat këtë periudhë. Na mungon edhe si profesion, pasi për ne është një punë dhe të gjithë jemi të varur financiarisht. Prandaj shpresoj që të bëhet më e mira dhe të na rikthejnë futbollin. Erdhi koha që të nisim edhe ne jetën normale, që pa stërvitje nuk ka kuptim.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"