Portieri i Tomorit “stopon” euforinë: Edhe me Maliqin, si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2021 | 12:38

Portieri i Tomorit “stopon” euforinë: Edhe me Maliqin, si finale

Në Berat nuk e mendojnë blofin me Maliqin. Luajnë në shtëpi, morali nuk u mungon dhe as pikët, ndaj fitorja quhet “e kryer”.

Tomori Dalipi

E megjithatë, ky është opinioni i tifozëve. Trajneri mendon ndryshe dhe po mundohet t’i ulë me këmbë në tokë të tijtë. Edhe pse Tomori po kalon formë optimale, ai pret angazhim maksimal në fushë dhe ua ka bërë të qartë se nënvlerësimi në këtë rast mund të kthehet në “bumerang”.

Beratasit janë në luftë me çdo dozë euforie dhe këtë e pohon edhe gardiani i beratasve, Oltion Haremi, që për “Panorama Sport” deklaron:

“Do reflektojmë të njëjtën filozofi në këtë ndeshje, ashtu si transferta. Vërtet luajmë në shtëpi, por kujdesi nuk bën kurrë dëm. Nëse zbatojmë porosinë e trajnerit tonë, gjithçka do shkojë në rrugën e duhur.

Respekt dhe vlerësim maksimal për kundërshtarin tonë, pavarësisht emrit dhe traditës modeste. Ne kemi punuar shumë, sikur do të luajmë një finale. Kështu do të vlerësohen çdo javë, veçanërisht ato që do të luhen në Berat, ku do të jemi të pathyeshëm deri në fund.

Pra, Tomori nuk ka rënë aspak në eufori. Maliqi ka gjithë vlerësimin tonë, sepse duam ta meritojmë fitoren duke treguar vlera dhe cilësi dyfish në raport me kundërshtarin dhe mbi të gjitha të vazhdojmë rrugën e saponisur drejt vendit të dytë”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"