Portieri i Lushnjes i bindur te fitorja ndaj Turbinës: Çdo ndeshje është finale, transferta e Cërrikut…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2022 | 11:14

Portieri i Lushnjes i bindur te fitorja ndaj Turbinës: Çdo ndeshje është finale, transferta e Cërrikut…

Portieri i Lushnjës, Mikel Kaloshi, në një intervistë për “Panorama Sport” tha se ecuria e Lushnjës ka qenë e mirë në fazën e dytë, por gjithnjë ka vend për t’u përmirësuar. Portieri 28-vjeçar deklaroi se Lushnja shkon për të fituar në Cërrik dhe me rikthimin e Cankës, ekipi do të jetë edhe më i fortë.

lushnja

Lushnja ka pësuar 5 gola në 4 ndeshjet e fundit. Çfarë duhet përmirësuar dhe si është punuar në këtë aspekt?

Është e vërtetë që kemi pësuar 5 gola në 4 javët e fundit. Ndeshjet sa vijnë dhe vështirësohen. Kemi pasur transferta të vështira. Po punojmë që të pësojmë më pak. Kemi barazuar në Lezhë, ndërkohë që kemi përballuar kryesuesit e Bylisit. Kemi marrë një pikë tjetër. Në shtatë ndeshje të kësaj faze kemi pësuar vetëm një humbje. Kemi një ecuri të mirë, por ka vend për t’u përmirësuar, ku duhet të ulim numrin e golave të pësuar. Të bëjmë më mirë dhe ta ngremë Lushnjën më lart.

Sa e rëndësishme është sfida me Turbinën nisur nga renditja e ekipeve?

Çdo ndeshje për ne është finale. Transferta me Turbinën është një sfidë shumë e rëndësishme. Ne e njohim shumë mirë kundërshtarin, por jemi Lushnja dhe do të shkojmë në Cërrik për të marrë tri pikët.

Këto tri pikë që po i kërkoni me ngulm, a e largojnë Lushnjën përfundimisht nga 4-shja e fundit?

Ne do të japim maksimumin deri në javën e fundit. Nuk duhet ta diskutojmë mbijetesën, pasi kemi ekip me kualitet. Një trepikësh në këtë transfertë do të na jepte shumë qetësi për të shkuar më lart.

Rikthimi i Cankës, a është një shtysë në fazën sulmuese?

Rikthimi i Cankës nga dëmtimi është një lajm i mirë, pasi me atë jemi akoma më të fortë. E kemi ndjerë mungesën e Cankës, pasi ai është një ndër sulmuesit më të mirë të Kategorisë së Parë. Shpresoj që rikthimi i tij të jetë me gol ndaj Turbinës.

Ndërkohë, që do të mungojnë Lajthia dhe Xhymerti…

Janë lojtarë që i kanë dhënë 9 gola Lushnjës dhe shumë cilësorë. Duam që rikuperimi i tyre të vijë sa më shpejt, por mungesat janë pjesë e garës. Kemi një organikë të mirë dhe alternativat nuk na mungojnë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"