Portieri i Luftëtarit: Mundim Laçin dhe i largohemi fundit të tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2018 | 20:42

Portieri i Luftëtarit: Mundim Laçin dhe i largohemi fundit të tabelës

Shkëlzen Ruçi është pa dyshim një ndër pikat më të forta të Luftëtarit javët e fundit. Me paraqitjen mbresëlënëse mes shtyllave të katërkëndorit “bluzi”, elbasanasi ka rikthyer qetësinë e munguar në prapavijë. Vendimtar me fluturimin akrobatik në momentin e “predhës” së Mziut në ndeshjen me Kastriotin, Ruçi bëri me krahë të tijtë, teksa nuk lejoi tundjen e rrjetës gjirokastrite. Në intervistën e tij për “Panorama Sport”, gardiani i Luftëtarit rrëfen gjithçka, duke filluar nga paraqitja me Kastriotin, si dhe për rëndësinë e ndeshjes së radhës.

shkelzen ruci

Shkëlzen, në minutën e 35-të, në pritjen spektakolare pas gjuajtjes së Mziut, ndërhyrja juaj rezultoi vendimtare?

Ishte moment delikat, pasi Kastrioti po ushtronte presion dhe nëse do të shënonte, atëherë gjërat do të vështirësoheshin për ne. Ndeshja mund të përfundonte me rezultat negativ. Kjo, dhe për arsye të presionit të ushtruar vazhdimisht deri në atë minutë nga Kastrioti. Kur kërceva dhe devijova topin, mendova se dëmtimi ishte i madh, serioz. Gjatë lojës s’kisha gjë dhe shyqyr që kaloi me aq. Jam munduar të bëj punën time ashtu siç duhet dhe deri tani çdo gjë po shkon mirë.

Ju personalisht jeni një siguri më shumë në prapavijë duke i dhënë më shumë besim lojës së ekipit…

Edhe me lart u thashë se falë Zotit ndihem mirë dhe nuk përjetuar dëmtime. Pa dyshim, gjithçka e kam arritur me punë. Falë përkushtimit dhe stërvitjes ia kam dalë dhe besoj se do t’ia dal deri në fund. Kush djersit arrin dhe sukses. Kjo është dhe falë trajnerit me të cilin unë stërvitem, Jovan Mihajloviç.

Keni fituar me Kastriotin, rivalin direkt për objektivin mbijetesë. Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për vijimësinë?

Ishte një fitore e rëndësishme në një fushë të vështirë përballë një ekipi si Kastrioti, që ka luajtur futboll të bukur, me të cilin ka treguar se është i barabartë, pavarësisht vendit që ka në klasifikim. Ishte një trepikësh që na ndihmon për më lart. Për momentin nuk ndryshon asgjë.

Ndeshja e radhës me Laçin. Një kundërshtar i fortë brenda dhe jashtë fushe. Nëse Luftëtari ia del të triumfojë me Laçin, besoni te tradita e sezonit të fundit, ajo e 11 ndeshjeve pa humbje?

Me Laçin s’do ta kemi aspak të lehtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Është një ekip që ka marrë brenda dhe jashtë fushe, edhe pse në përballjen me ne vjen pas dy humbjeve me rivalë dinjitozë si Teuta dhe Kukësi. Duhet shumë kujdes dhe përqendrim në çdo situatë, pasi Laçi është skuadër që luan deri në minutën e fundit dhe beson në forcën e tij. Duhet të eliminojmë gabimet e shfaqura në çdo repart për të dalë me rezultat pozitiv nga përballja me Laçin. Kurorëzimi me sukses i 90-minutëshit me Laçin na ndihmon për të t’iu larguar fundit sa më shpejt. T’i marrim ndeshjet një e nga një, pastaj të flasim për historinë e sezonit të fundit.

Sipas jush, e ka Luftëtari “stofin” e duhur për të shfaqur cilësitë e sezonit të fundit?

Luftëtari ka qenë dhe është një familje e bashkuar. Pavarësisht zhvillimeve në merkaton e verës, grupi është solid, i gatshëm për të dhënë më të mirën përballë çdo kundërshtari. E përsëris, për ne kampionati fillon dhe mbaron kur ndeshjet i lënë radhën njëra-tjetrës. Ndaj, më duhet të pohoj se vazhdimësia nuk kushtëzohet nga rezultati i një sfide, por nga të gjitha të mbledhura së bashku. Asnjë ndeshje s’ngjan me njëra-tjetrën, ndaj dhe të gjitha kanë rëndësinë e tyre.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"