Portieri 39-vjeçar i Lushnjes, Spaho: S’i ndiej vitet, stërvitem me pasion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2021 | 18:00

Portieri 39-vjeçar i Lushnjes, Spaho: S’i ndiej vitet, stërvitem me pasion

Pas fundjavës pushim, Lushnja rikthehet në fushë. Skuadra ka nisur një tjetër javë përgatitjesh, e pesta për sezonin e ri. Kapiteni Mikel Spaho mendon se verdhejeshilët janë në rrugën e duhur, deri tani kanë më shumë se një muaj që punojnë.

mikel spaho

Portieri vlerëson edhe merkaton e bërë, ndërsa nuk ngurron që të japë një koment për miqësoren që zhvilluan të premten përballë Egnatias së sapongjitur në elitë. “Lushnja e ka vlerësuar seriozisht sezonin. Kemi gati një muaj që kemi dalë në stërvitje. Paralelisht, me fazën përgatitore vijon puna për ndërtimin e ekipit, për të plotësuar ekipin në merkato aty ku kemi nevojë. Bëmë edhe një ndeshje miqësore me Egnatian, ku ekipi u paraqit në përgjithësi mirë. Për periudhën ku jemi gjendja është e kënaqshme”, tha fillimisht gardiani për “Panorama Sport”.

39-vjeçari do të vijojë të mbrojë portën e Lushnjës dhe për këtë ka firmosur një kontratë 1- vjeçare. Vitet për të janë vetëm numra, pasi dëshira për të luajtur nuk i mungon. “Stërvitem me pasion çdo ditë. Nuk e ndiej moshën. Me pasion dhe me dëshirë duhet të stërviten edhe të rinjtë. Kam firmosur një kontratë 1-vjeçare dhe do të jem i gatshëm për ekipin. Sa herë që të më kërkohet, do të mbroj katërkëndroin. Kemi një kampionat ndryshe nga vitet e tjera. Jemi njohur edhe me kalendarin dhe shpresojmë që Lushnja të jetë midis pretendentëve”, përfundoi “veterani” i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"