Portieri 37-vjeçar i jep fund futbollit të luajtur, bëhet trajner te Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2019 | 22:40

Portieri 37-vjeçar i jep fund futbollit të luajtur, bëhet trajner te Lushnja

“Veterani” i portës verdhejeshile, Mikel Spaho, ka marrë tashmë zyrtarisht postin e trajnerit të portierëve në skuadër. Portieri 37-vjeçar e kishte të qartë pak e shumë se ndeshja e 11 majit, Egnatia-Lushnja, 1-2, do të ishte e fundit për të në katërkëndorin e portës verdhejeshile.

Mikel Spaho

E njëjta situatë ka qenë edhe vitin e kaluar në fakt, por për shkak të nevojave të skuadrës, Spaho u federua si portier për të qenë prezent në momente emergjente.

Madje, ai luajti 11 ndeshje në total, 916 minuta. Mikel Spaho ka njohur vetëm dy skuadra në karrierën e tij, Lushnjën dhe Flamurtarin. Për verdhejeshilët ka luajtur në vitet 2001-2010. Më pas shkoi te Flamurtari për dy sezone, 2010-2012, për t’u rikthyer te Lushnja, ku ka qëndruar deri në majin e këtij viti. Ka luajtur 10 sezone në Kategorinë Superiore dhe 8 në Kategorinë e Parë.

Spaho

Ndeshja e parë në kampionat i përket 24 shkurtit të vitit 2001, LushnjaShkumbini, 3-1, kur verdhejeshilët drejtoheshin nga trajneri Hysen Dedja. Që nga viti 2011, Lushnja nuk ka pasur trajner portierësh. Për herë të fundit këtë post e ka mbajtur ish-portieri i Lushnjës, Shkumbinit dhe përfaqësueses së 21-vjeçarëve, Altin Gjyla. Tani, pas 8 vjetësh, kjo skuadër do të ketë një trajner për portierët e ekipit të parë dhe të akademisë.

SPAHO – “Jam shumë i lidhur me këtë klub, ku kam hedhur hapat e parë dhe kam luajtur në moshë shumë të re. Më është dashur të mbaj edhe peshë në skuadër, siç ishte ndeshja shtesë me Apoloninë, e fituar 3-1 në Tiranë, më 29 maj 2003.

Spaho

Nuk kisha mbushur ende 21 vjeç dhe kisha emocione të jashtëzakonshme. Një mbështetje shumë të madhe më ka dhënë ish-trajneri im, hungarezi Sandor Szabo. Një periudhë dyvjeçare me emocione ka qenë edhe ajo te Flamurtari, ku luajtëm në Europë. Te portierët e rinj dua të përcjell dëshirën, ambicien dhe egon profesionale.

Pa dëshirë dhe pa stërvitje nuk arrihet asgjë dhe unë nga ky parim jam udhëhequr. Do të punoj pa pushim që Lushnja ta ruajë traditën që ka pasur, duke nxjerrë portierë që kanë bërë emër në futbollin shqiptar”, është shprehur trajneri i ri i portierëve të Lushnjës, Mikel Spaho. 37-vjeçari pati një karrierë të gjatë në stadiumin “Roza Haxhiu” si futbollist, ndërsa tani do të vazhdojë edhe si pjesë e stafit teknik. Ai është pa dyshim një nga personazhet më popullore të futbollit në Lushnjë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"