Portierët e Botërorit kundër topit “Telstar”: Do pësojmë nga 35 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2018 | 15:39

Portierët e Botërorit kundër topit “Telstar”: Do pësojmë nga 35 gola

“Telstari” i parë lindi në vitin 1970. Ishte Botërori i Meksikës kur u krijua një top, i cili edhe sot është simbol dhe që do të përdoret në Rusi, në Botërorin që do të nisë në qershor. Sigurisht që nga 48 vite më parë atij i mbetet vetëm emri, sepse sot evolucioni i materialeve dhe teknologjisë ka ecur shumë përpara, edhe pse jo të gjithë e vlerësojnë versionin e fundit. Dhe janë portierët, kritikët e tij më të mëdhenj. Gjermani Ter Shtegen, spanjolli De Gea dhe Reina, të cilët e testuan në miqë- soren e fundit mes Gjermanisë dhe Spanjës në Dyzeldorf, me fjalë të ndryshme, mbërrijnë të gjithë në të njëjtin konkluzion.

de gea telstar

“Telstar 18” do të jetë një mallkim për portierët në Rusi. “Duhet modifikuar, edhe pse unë kam frikë se nuk do të ndodhë. Prandaj duhet të ambientohemi sa më shpejt që të jetë e mundur për të mos pasur probleme gjatë finaleve”, thotë numri 1 i portës së kampionëve të botës, i cili mund të jetë mes shtyllave të Gjermanisë nëse kapiteni Manuel Nojer nuk do t’ia dalë që të shkojë në Rusi.

Të njëjtin mendim ndan edhe kolegu i tij spanjoll. “Është një top shumë i çuditshëm”, deklaron gardiani i Mançester Junajtid, David De Gea. Shumë më i ashpër në gjykimin e tij është portieri i Napolit: “Merr trajektore të paparashikueshme. Është i mbuluar nga një shtresë plastike që e bën të vështirë për t’u pritur dhe kontrolluar. Ka shumë për t’i përmirësuar. Nëse në Botëror do të luhet me këtë top, atëherë do të shohim 35 gola nga jashtë zone”.

“Topi origjinal ‘Telstar’ është një nga topat më legjendar të të gjitha kohërave dhe që ndryshoi dizajnin e futbollit përgjithmonë”, tha shefi i “Adidas”-it, Roland Romler kur e prezantoi në fund të vitit të shkuar. “Krijimi i tij duke i qëndruar besnik modelit origjinal ishte një sfidë emocionuese për ne. Struktura e re e panelit dhe përfshirja e një çipi NFC e ka dërguar inovacionin në futboll dhe dizajnin në një tjetër nivel dhe u ofron përdoruesve një përvojë të re”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"