Portier, roker e duhanpirës, ja kush është ndihmësi i Simeones

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 12:02

Portier, roker e duhanpirës, ja kush është ndihmësi i Simeones

Portier, këngëtar roku, trajner, duhanpirës “i çmendur”, një kancer në veshkë i mposhtur me shpirtin e luftëtarit që e veçon skuadrën e River Plejtit në zemër dhe një marrëdhënie me “Çolo”-n, e cila duket e paprekshme dhe e pathyeshme. Ky është German Burgos, që dje në Lion ishte në pankinë në vend të Diego Pablo Simeones të skualifikuar.

1419357141_extras_noticia_foton_7_0

PSEUDONIME DHE SHARJE

Burgos njëherë e një kohë ishte “cabezon” (“sepse e kam kokën aq të madhe sa brenda saj mund të hyjë edhe një kompjuter i NASA-s”), më pas “gorilla” e së fundmi “mono”, majmuni. Këto pseudonime janë të një kohe të hershme për të qenë korrekt, ashtu sikurse është ai që i ka trashëguar ato ndër vite. “Ajo që më mungon më shumë nga periudha kur isha futbollist janë ofendimet, sharjet e tifozëve kundërshtarë. Unë iu përgjigjesha gjithmonë, derisa një herë më hodhën një qese të mbushur me urinë”, tregon Burgos në një intervistë të disa kohëve më parë për “Papel”, suplementi i katalanases “MundoDeportivo”.

PORTIER ROKER

Zëvendëstrajneri i Atletikos pati filluar të këndojë kur ishte ende pjesë e skuadrës së Ferro Karril Oeste dhe e vazhdoi atë edhe te River Plejti dhe më pas në Spanjë, duke nxjerrë në treg katër disqe mes viteve 1999 dhe 2005. Grupi i formuar prej tij në atë epokë quhej fillimisht Burgos Simpatia, në nder të “Sympathy for the devil”, por edhe të pasionit të tij të madh për Rolling Stons. Por më pas, ai e ndërroi emrin e grupit në “The GARB”, akronim i katër germave të emrit të tij, German Adrian Ramon Burgos. Gjithmonë në vitin 1999, në kohët e Majorkës, ai u dënua me 11 ndeshje skualifikim (në atë periudhë dënimi i tretë më i gjatë i historisë së La Ligas), pasi shtriu në tokë, me një grusht të vetëm, kundërshtarin e tij të Espanjolit, Manolo Serrano.

mono-atletico-tri
DYSHJA PERFEKTE

Nga vera e vitit 2011 ai punon me Simeonen. Ishin së bashku te Rasing Avejaneda, ndërsa për Krishtlindje e gjetën veten në “Kalderon”: “Unë dhe Diego jemi si Robert De Niro e Xho Peshi, apo si Bad Spencer e Terenc Hill… Kur njëri niset, qoftë edhe nga nervat, tjetri duhet të ndalet. Kemi të dy një karakter të fortë, por detyra ime është ajo që të ekuilibroj Simeonen, ta liroj nga ankthi dhe dyshimet. Unë nuk dyshoj kurrë. Kur e di se po thua të vërtetën, nuk ke pse të dyshosh. Dhe roli im është ai që t’i them të vërtetën Simeones”, vazhdon Burgos.

MIQËSIA

Për Burgosin nuk ekziston asnjë mëkat më i madh sesa tradhtia. Dhe Simeone e konfirmoi javën e kaluar këtë gjë, teksa i pyetur mbi cilësinë që vlerëson më shumë te ndihmësi i tij, ai e konfirmoi dy herë me radhë: “Besnikëria”. Duke parë skualifikimin e marrë në Londër, pas suksesit në ndeshjen e kthimit kundër Arsenalit, Simeone kërkoi që të ishte edhe Burgos në sallën e shtypit. Edhe pse që të dy janë tipa të fortë me plot kuptimin e fjalës, që të dy treguan gjithashtu një sentimentalizëm përfshirës në momentin e komentimit të marrëdhënies së tyre. Burgos: “Çolo është një mik dhe të punosh me miqtë, është shumë herë më mirë”. Simeone: “Te Germani vlerësoj besnikërinë dhe vërtetësinë, virtyte që janë shumë të vështira të gjenden kësaj dite në këtë ambient, por në të njëjtën kohë edhe kapacitetin e tij teknik. Së bashku njihemi që në moshën 20-vjeçare dhe e kuptojmë njëri-tjetrin me një vështrim, pa pasur nevojë që të themi asnjë germë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"