Portier rekordmen te Bajerni, Nojer gati të lërë pas Oliver Kahn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 16:11

Portier rekordmen te Bajerni, Nojer gati të lërë pas Oliver Kahn

Edhe pse ende në aktivitet, Manuel Nojer ka nisur me kohë të quhet një legjendë. Në kampionatin gjerman, ai është shumë pranë thyerjes së një rekordi historik. Ndaj Lajpcigut, ai mund të kalojë Oliver Kahn për numrin e fitoreve.

 

nojer kahn

Manuel Nojer ishte sërish në treshen më të mirë të portierëve në botë. Konkurrenca ishte e fortë me Eduard Mendi dhe Xhixhi Donaruma. Ishte portieri i Çelsit ai që fitoi çmimin prestigjioz, duke lënë pas italianin dhe gjermanin. Por edhe në 2021-shin paraqitjet pozitive të portierit të Bajernit ishin të dukshme.

Ai fitoi kampionatin e 9-të në Mynih, askush nga portierët e mëparshëm nuk ka arritur kaq shumë tituj, ndërkohë që titulli i 10-të është rrugës. Në javën e 3-të të kampionatit në fitoren 5-0 ndaj Hertës së Berlinit, Nojer regjistroi ndeshjen e 205-të pa pësuar gol duke parakaluar ishportierin e famshëm të Bajernit, Oliver Kahn.

Ky i fundit tani është CEO i bavarezëve, por nuk mbaron këtu. Me kombëtaren e Gjermanisë, Nojer u kualifikua si skuadra e parë për në Botërorin e Katarit. Në Champions, 35-vjeçari u bë portieri i dytë pas Ederson që asiston në një gol të skuadrës së tij.

Në fillim të dhjetorit, në ndeshjen kundër Barcelonës në shtëpi, Nojer regjistroi ndeshjen e 125- të në Champions duke parakaluar Xhanluixhi Bufon. Portieri që ka më shumë ndeshje në Europë është Iker Kasijas, i cili regjistron 177 paraqitje në Champions.

REKORDI I RADHËS – Udhëtimi i gjermanit daton në 2006-ën, teksa vishte fanellën e Shalkes. Në total, Nojer ka luajtur 457 ndeshje në Bundesligë, kjo është shifra më e madhe mes lojtarëve që janë aktiv. Në kampionatin gjerman, ai është shumë pranë arritjes së rekordit të vendosur nga Oliver Kahn për numrin e fitoreve.

Ish-kapiteni i Bajernit regjistron 310 fitore në Bundesligë, ndërkohë që Manuel është në kuotën e 309. Shifrat flasin për gardianin e portës gjermane i cili në krahasim nga Kahn, ka një mesatare prej 0.82 gola të pësuar për ndeshje, ndërkohë që Oliver kishte një mesatare prej 1.4 golash. Nga nëntori i 2012-ës dhe marsit të 2014-ës, Nojer nuk regjistroi asnjë humbje për 48 ndeshje radhazi.

Kjo është koha me e gjatë që një portier nuk pëson një humbje. Vetëm Zherom Boateng dhe Frank Riberi kanë arritur të kenë një numër më të madh ndeshjesh pa pësuar një humbje. Karriera e Manuelit ka pësuar vetëm rritje që nga 2011-ta. Me Bajernin, kapiteni i Gjermanisë ka fituar 2 herë tripletën, në vitin 2013 dhe 2020 duke u bërë portieri i vetëm që arrin këtë sukses. Rekordi i radhës për Nojerin është vetëm pak ditë larg.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"