Porta 4 cm më e lartë, Agron Kapllanaj feston si i çmendur. Ja momentet pikante të sfidës Bylis-Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2020 | 20:22

Porta 4 cm më e lartë, Agron Kapllanaj feston si i çmendur. Ja momentet pikante të sfidës Bylis-Teuta

Para ndeshjes Bylisi-Teuta ndodhi një situatë sa qesharake, aq edhe skandaloze. Portieri i durrsakëve, Stivi Frashëri, që ka luajtur në të kaluarën në Ballsh, pikasi diçka të pazakontë.

Bylis-Teuta

Në portën ku po kryente nxehmje, ajo ishte 4 centimetra më e lartë. Ai menjëherë u ankua te zyrtarët e ndeshjes dhe pas matjeve që u bënë, rezultoi se Frashëri kishte të drejtë. Kjo ka shkaktuar batuta dhe ngacmime të portierit me punëtorët e fushës në stadiumin “Adush Muça”. Delegati Gjini ka kërkuar që porta të ulet në përmasat që lejon rregullorja.

Në Ballsh e sqarojnë me një harresë të punonjësve këtë moment të çuditshëm. Ndërkohë, “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme.

* Që në minutën e 2-të Kuro dëmtohet në kavilje dhe loja ndërpritet dy minuta, por mbrojtësi nuk zëvendësohet.

* Dovedan tërbohet me Hadrojin në minutën e 15-të pas një vendosjeje të gabuar të këtij të fundit. Trajneri acarohet aq shumë, saqë kërkon ta zëvendësojë lojtarin me Bajramajn. Megjithatë, ndërrimi bëhet më vonë.

* Me rregulloren e re prej Koronavirusit, uji duhet pirë nga lojtarët në shishe të ndryshme. Mirëpo, në fundin e pjesës së parë kur loja ishte ndërprerë, ky rregull nuk u zbatua. Disa lojtarë pinë nga e njëjta shishe. Etja e madhe nga temperaturat e larta bën të vetën.

* Nga minuta e 60-të, Jurgen Goxha është dëmtuar në këmbën e majtë, por nuk ka pranuar të zëvendësohet, duke sakrifikuar deri në fund.

* Në momentin e golit, të gjithë në tribunën qendrore kanë hequr maskat, ndërsa ishkryebashkiaku Agron Kapllanaj është parë të festojë si i çmendur bashkë me ishtrajnerin e Bylisit, Migjen Skënderi.

* Delegati i ndeshjes, Eduart Gjini, e zhvilloi mbledhjen në mes të fushës dhe jo në mjediset e brendshme të stadiumit. Para ndeshjes pati masa strikte nga klubi ballshiot dhe gjithçka shkoi perfekt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"