Policia private në stadiume, kampionati në dorë të bashkive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 18:09

Policia private në stadiume, kampionati në dorë të bashkive

Dy ditë nga starti i kampionatit të Kategorisë së Parë, një prej çështjeve që shqetëson më shumë është ajo e sigurisë në stadiume. Në Ligjin e ri të Sportit thuhet se Policia e Shtetit nuk hyn më në stadiume për të garantuar sigurinë, ndërsa klubet pritëse duhet të sigurojnë mbarëvajtjen e ndeshjeve me polici private ose siç njihen ndryshe, Security.

dhuna

Një eksperiment që nisi në mënyrën më të keqe në Superiore ku dështoi në sfidën e parë mes Skënderbeut dhe Partizanit. Ndërsa, shumë klube të elitës kanë bërë thirrje për rishikimin e Ligjit, ndërsa e kanë të vështirë të përballojnë edhe koston e madhe që ka. Por, dilemat më të mëdha janë në Kategorinë e Parë, një kampionat i varfër ku 90 për qind  e klubeve janë pronë e bashkive.

dhuna-ne-stadium

ÇËSHTJA FSHF

ka bërë të ditur se do të zbatojë Ligjin dhe u ka bërë të ditur klubeve se duhet të sigurojnë mbarëvajtjen e ndeshjeve me polici private. Një kosto më shumë për këto klube. Pritet që të lindin problemet që në javën e parë të kampionatit. Një pjesë e klubeve duket se nuk janë të informuara për atë që i pret realisht.

Delegati i ndeshjes ka të drejtë që të vendosë që një takim të mos nisë pa praninë e policisë private, ndërsa ekipi udhëtues do të fitonte ndeshjen në tavolinë. Duket se ky nen në Ligjin e ri të Sportit do të sjellë shumë probleme në kampionatin e Kategorisë së Parë.

Kategoria e Pare

BASHKITË

Institucionet vendore do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në të gjithë këtë histori. Rreth 90 për qind e klubeve që garojnë në kampionatin e Kategorisë së Parë janë pronë e bashkive. Në këtë mënyrë do u duhet këtyre institucioneve që të bëjnë tenderë dhe të harxhojnë disa para më shumë që i marrin nga taksapaguesit për të bërë të mundur sigurimin e ndeshjeve.

Sikur të mos mjaftonte fakti që harxhohen miliona lekë në vit për një futboll ku në shumicë në këtë kampionat është i trukuar dhe i toleruar, por tashmë bashkitë do të duhet të harxhojnë më shumë edhe për sigurinë në stadiume. Një kosto e tepërt për shqiptarët. Ndeshja e parë mes Vllaznisë dhe Korabit që do të hapë kampionatin ditën e shtunë është një test për të parë se si do të funksionojnë gjërat. Pritet që në javët në vazhdim të ketë probleme me këtë çështje.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"