“Policët gjakosën një tifoz, u ngujuam 5 orë”, ish-lojtari i Naftëtarit kujton revoltën e 30 viteve më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 21:13

“Policët gjakosën një tifoz, u ngujuam 5 orë”, ish-lojtari i Naftëtarit kujton revoltën e 30 viteve më parë

Sekretari i klubit dhe tekniku aktual i Naf tëtarit, Bajram Fraholli, ishte pjesë e formacionit në ndeshjen e 5 qershorit mes skuadrës kuçovare dhe Dinamos. Ai e kujton me jo pak trishtim atë 5 qershor të largët të 1988-ës, të cilin e cilëson me të drejtë si fundin e pamerituar të një cikli të shkëlqyer të viteve të futbollit kuçovar.

bajram fraholli

RRËFIMI

“Edhe pse konkurronim atë sezon aksidentalisht në Kategorinë e Dytë (sot e para), ishim një skuadër shumë e mirë me një brez të talentuar që mund të konkurronim me dinjitet në elitën e futbollit shqiptar. Kujtoj se përballë Dinamos në ndeshjen shtesë vinim si nënkampionë të Kategorisë së Dytë, ku ishim mundur në finale nga skuadra lushnjare. Kujtoj se edhe në takimin final në kryeqytet në “Selman Stërmasi” ndaj Dinamos, na u mohua një penallti e pastër. Por, padrejtësitë vazhduan edhe në ndeshjen e kthimit shtesë ndaj bluve ku gjyqtari Besnik Kaimi bëri çmos që të ndihmonte Dinamon. Ne realisht gjatë të gjithë javës kishim mësuar se gjyqtar do të ishte Arsen Hoxha, një gjyqtar i njohur korrekt dhe i paanshëm”, tregon fillimisht ishlojtari i Naftëtarit që ishte në fushë në atë sfidë ku shpërtheu një revoltë e paparë popullore deri në ato momente. Fraholli tregon më pas se çfarë ndodhi në fushë dhe në fund të ndeshjes. “Pati shumë faulle të panevojshëm në mesin e fush- ës, duke frenuar lojën tonë. Kujtoj se ishte një stadium i tejmbushur me 10 mijë tifozë ku nuk mungonin edhe nga qytete përreth Kuçovës, madje edhe nga Gjirokastra. Na ka bërë përshtypje numri i lartë i forcave speciale jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në shkallët e stadiumit, gjë që për atë periudhë ishte e pazakontë. Patëm shumë raste, ku në fund jemi ndëshkuar nga një gol aksidental”.

SI NISI REVOLTA

Fraholli kujton momentin se si nisi të shpërthente revolta popullore. “Kur po u drejtoheshim dhomave të zhveshjes, kemi parë brenda në fushën e lojës tifozë kuçovarë që mbanin në krah një tifoz që ishte goditur në sy nga forcat speciale. Këtu filloi edhe revolta, ku ne si futbollistë së bashku me skuadrën dinamovite, jemi ngujuar për pesë orë në dhomat e zhveshjes. Ishte një situatë e jashtëzakonshme për atë periudhë, një revoltë që mendoj se ishte më shumë sportive.

Fatkeqësisht, ishte fundi i një brezi të artë i një ekipi simpatik me një futboll të bukur siç u komentua nga dy gazetarët e mirënjohur, Ismet Bellova dhe Besnik Dizdari. Edhe sot e kësaj dite, futbolli kuçovar vuan pasojat e atij takimi shtesë ku pas përfundimit, u ndëshkua shumë rëndë. Realisht, pati përpjekje për të ringjallur, por pothuajse të gjithë futbollistë për shkak të dënimit të klubit kontribuuan në skuadra të tjera të kampionatit shqiptar. Ishte një padrejtësi, ku edhe pas 30 viteve janë të gjithë mundësitë që FSHF të ndihmojë momentalisht rikthimin e skuadrës në Kategorinë e Parë”, përfundoi rrëfimin e tij, ish-lojtari i Naftëtarit, Bajram Fraholli. Një ngjarje që për kohën kur ndodhi ishte e para. Nuk kishte ndodhur më parë një revoltë e tillë nga populli.

ARBEN ÇEPANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"