Polemikat/ Presidenti i Luftëtarit ironizon me Laçin: Flasin në emër të FSHF-së, mesa duket kanë marrë presidencën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2020 | 10:44

Polemikat/ Presidenti i Luftëtarit ironizon me Laçin: Flasin në emër të FSHF-së, mesa duket kanë marrë presidencën…

Bekim Halilaj i përgjigjet klubit të Laçit pasi u cilësua i papërgjegjshëm dhe nxitës i urrejtjes për deklaratat që kishte bërë dy ditë më parë në “Panorama Sport”. 

Bekim Halilaj Luftetari

Presidenti i Luftëtarit, dje në reagimin për gazetën, u kujton kurbinasve se nuk mund ta gjykojnë dot për një kërkesë që ai ia ka drejtuar institucionit të futbollit. Sipas Halilajt, interpretimet që Laçi ka bërë në lidhje me deklaratën e tij për një ndarje Jug-Veri janë të pavërteta. Kreu i klubit gjirokastrit ironizon me Laçin, duke i bërë të ditur se duhet të flasin vetëm nëse kanë marrë ndonjë prokurorë që përfaqësojnë FSHF-në.

REPLIKA – “Në deklaratën që kam dhënë pas ndeshjes me Laçin, i kam bërë thirrje institucionit të futbollit shqiptar për atë që po ndodh, jo klubit të Laçit. Reagimin e pres nga FSHF për akuzat që kam bërë, sepse s’ka lidhje fare Laçi këtu. Nuk mund të më gjykojë mua Laçi dhe të më thotë jam i papërgjegjshëm.

Nuk kam përdorur në asnjë rresht fjalën ‘malok’. E dinë shumë mirë drejtuesit e Laçit se sa miq kam unë në qytetin e tyre, kështu që bëjnë mirë të mos i keqinterpretojnë deklaratat. U sugjeroj ta lexojnë me vëmendje çfarë kam thënë ose t’ua tregojnë të tjerë, sepse ndoshta nuk e kuptojnë. Nuk prisja unë përgjigje nga Laçi apo ndonjë klub tjetër për korrupsionin tek arbitrat.

Luftetari-Laci

Nëse Laçi ka ndonjë prokurë që përfaqëson FSHF-në apo institucione të tjera, atëherë do t’u kërkoj ndjesë dhe do t’u drejtohem atyre. Pastaj, qesharake është kur thonë se si ka mundësi që ne dimë sa kartonë kanë lojtarët! Në një klub profesionist kjo është gjëja më minimale, pasi kartonët e verdhë nuk kanë si të mbahen të fshehtë.

Kundërshtari analizohet, ndërsa ata që nuk e bëjnë këtë, janë klube të cilat e kanë të sigurt fitoren, duke e blerë ndeshjen me forma të tjera ose u është premtuar se do të fitojnë. Unë personalisht me Laçin nuk kam asgjë, por nuk tërhiqem nga ato që kam thënë për gjyqtarët. Nëse klubi i Laçit ka diçka personale me mua, le të ma thotë. Me arbitrat unë do të ndjek rrugët institucionale dhe gjyqësore. Nuk u shkoj në shtëpi atyre dhe t’i kërcënoj apo të bëj vetëgjyqësi, siç e bëjnë të tjerët. Nuk e kuptoj se si Laçi kërkon të dijë provat kur e pa gjithë Shqipëria se çfarë bëri Kridens Meta në Gjirokastër.

Luftetari-Laci 0-2

A ka provë më të pastër se ajo penallti skandaloze në favor të Laçit?! Kjo është e dyta herë që Laçi merr përsipër kompetencat e FSHF-së. Nuk e di, sepse s’na kanë njoftuar si klub, por ndoshta federata e jep presidencën me radhë, nga 6 muaj apo një vit dhe tani i bie që ta kenë ata komandën (i referohet Laçit)…?! Duhet ta dimë, por s’na kanë njoftuar”, deklaroi Halilaj.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"