Polemikat për ndeshjen në Fier, Bano dhe Papuçiu “djegin” lagunarët: Lushnja ta gjejë te vetja, Apolonia e meritoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 12:54

Polemikat për ndeshjen në Fier, Bano dhe Papuçiu “djegin” lagunarët: Lushnja ta gjejë te vetja, Apolonia e meritoi

Në një derbi ndodh gjithçka, nis kohë më parë dhe debati vijon së paku një javë pas përfundimit. Kështu ka ndodhur me derbin Apolonia-Lushnja të luajtur të hënën, ku fierakët fituan 3-1. Ata i gëzohen edhe kryesimit, kurse lushnjarët shpërthyen ndaj gjykimit. “Panorama Sport” sjell mendimin e dy ish-trajnerëve, Artan Bano dhe Dhimitër Papuçiu. A ishte 3-1 rezultat i merituar? Çfarë shfaqën Apolonia dhe Lushnja? Ja opinioni i tyre:Bano

ARTAN BANO, ish-trajner i Lushnjës: “Në një derbi s’ka rëndësi sa pikë kanë ekipet dhe cili është kualiteti brenda tyre. Ekipi që luan më me kujdes, më me guxim e me pak fat, fiton. Lushnja e filloi shumë mirë, përballoi trysninë dhe shënoi një gol të shpejtë, kur loja ishte në favor të kundërshtarit. Duhet të kishte një plan B, pra jo vetëm ta ruante avantazhin, por edhe ta vriste ndeshjen. Lushnja nuk e bëri, ndërsa 11-metërshi i nxori disi jashtë loje psikologjikisht futbollistët e saj. Ishte vendim i gabuar, le ta quajmë gabim njerëzor, pasi jam i bindur 100% që gjyqtari nuk e bëri me qëllim. Futbollistët e Lushnjës këtu gabuan dhe nuk e përballuan atë moment. Lushnja me aq përvojë duhet ta menaxhonte më mirë lojën, ndërsa në pjesën e dytë nuk justifikoi asgjë nga eksperienca që ka.

Nuk mund të hysh në fushë me mendimin ‘do të më mundë gjyqtari’. Po të shohim golin e dytë, Lushnja e ka pësuar edhe më parë. Lojtari i Apolonisë shënoi mes 4-5 futbollistëve lushnjarë. Është absurde, duke ditur kontigjentin cilësor të Lushnjës. Në një derbi fiton ekipi më i motivuar, më me karakter. Apolonia e kishte përgatitur ndeshjen shumë më mirë. Për dy golat e tjerë të saj nuk kemi ç’të themi, ishin të merituar. Një ekip me përvojë si Lushnja duhet të reagojë brenda 90 minutave. Nuk ndodhi si kur u luajt me skemën 4-4-2, ashtu edhe me 4-4-1-1. Me atë kualitet, nga Haremi te Canka, me çfarëdo gjyqtari, duhet ta kishte mundur Apoloninë. Në një derbi ndikon shumë përvoja, adrenalina, karakteri i fortë”, thotë Bano.

DIÇKA NUK SHKON – “Lushnja duhet të fitonte, sepse ka skuadër shumë të mirë, por seç ka aty brenda. S’është detyra ime ta them, sepse 2 ditë të ikësh nga një ekip dhe asgjë nuk kupton më çfarë ndodh. Lushnja duhet të bëjë një analizë të thellë pse humbi, ta kërkojë te vetja. Supozojmë se kishte ndikim gjykimi, por jo më shumë se 2-5%. Apolonia e meritoi fitoren, aksionet ishin në raportin 80-20 për të, goditjet e këndit, nëse nuk gaboj, 16-3 po për të. Lushnja u mbyll në 16-she për gati 80 minuta dhe shpërdoroi avantazhin.

E imagjinoni sikur të fitonte në Fier? Tri ndeshje radhazi në shtëpi dhe do ishte komode për Superioren, për të mos thënë e sigurt. Nëse vazhdon me ankesat për gjyqtarin, do ta harrojë vazhdimësinë. Lushnja është ekip që penalltitë i ka më së shumti në favor, edhe kartonët. Nuk e përjashtoj që në ndonjë ndeshje është penalizuar, por një ekip serioz e me përvojë duhet që analizën ta nisë nga vetja. Megjithatë, Lushnja i ka mundësitë të luftojë fort deri në fund. Sa për sqarim, me atë pjesë që do të më paragjykojnë: kam folur hapur dhe sinqerisht, pa interes personalë. Vetëm kështu e ndihmojmë ekipin tonë”, shtoi Bano.Dhimiter Papuciu

DHIMITËR PAPUÇIU, ish-trajner i Apolonisë: “Ishte ndeshje pa ndonjë dinamikë të caktuar, lojë e vakët, me 2-3 episode. Pritej një lojë e tillë, jo vetëm për shkak të shkëputjes së gjatë, por edhe sepse kishte më shumë interes rezultati. Dominoi pak Apolonia, sepse ka moshë të re, por jo gjer në ato nivele ku mendoja. Lushnjës nuk i falet ajo lojë dhe humbje me atë përvojë që ka, krijon avantazh dhe nuk e ruan. Ata janë ekspertë të ndeshjeve decizive, por e humbën toruan ndaj një Apolonie rinore që përvoja e Lushnjës mund ta ndëshkonte në çdo moment. Apolonia çedoi në lojën në grup, por u falet atyre djemve të rinj. ‘Fituesi nuk gjykohet’, por duhet të evidentojmë mangësinë.

Energjia e këtij grupi të Apolonisë do shtohet, ndaj dhe shpresoj. Nëse trajneri i vendos këta lojtarë të rinj në pozicionet ku japin më shumë, Apolonia është skuadra e duhur. Lushnja gaboi, nuk vuri në eficiencë eksperiencën në aspektin taktik. Apolonia do gabonte nga mosha e re dhe është një proces objektiv që përmirësohet me kalimin e kohës. Mbase ajo penallti e diskutueshme ndikoi, por për një skuadër si Lushnja, me një trajner që e drejton prej vitesh, s’ka vend për ankesa. Lushnja pati kohë rikuperimi, Apolonia e meritoi fitoren”.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"