Polemikat në Burrel, Gjoni: Futbolli është bërë për gjynah

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 15, 2019 | 10:34


Polemikat në Burrel, Gjoni: Futbolli është bërë për gjynah

Kjo javë nisi me një “furtunë” te Burreli, drejtuesit e të cilit shkarkuan trajnerin Vladimir Gjoni dhe ndihmësin e tij Dritan Gjoka, si dhe larguan djalin e trajnerit matjan. Gjoni foli hapur në “Panorama Sport” për atë çfarë ndodhi, duke theksuar se gjithçka ishte me prapavijë politike dhe se drejtuesit e klubit përdorën si pretekst një incident gjatë miqësores me Korabin.

vladimir-gjoni

Një ditë më pas ishte shefi i klubit matjan, Ballabani, që iu përgjigj trajnerit duke thënë se vendimi i shkarkimit ishte marrë sepse Gjoni kishte kapur një lojtar kundërshtar prej fyti. Po ashtu, drejtuesi i klubit matjan u shpreh se nuk ka asnjë intrigë apo punë politike në këtë mes.

Trajneri Gjoni ka folur sërish për gazetën për deklaratën e shefit të klubit, por këtë herë ka qenë shumë më i qetë dhe ka theksuar se futbolli në Shqipëri është bërë për gjynah.

“A e kuptoni sa qesharake është? Unë kam shumë vite në futboll dhe nuk kam marrë dënim asnjëherë për të tilla probleme. Isha në fushë vetëm për të ndarë lojtarët në atë incident. Ishte një miqësore dhe ne jemi shumë miq me Korabin por e thashë që atë ditë se kjo gjë u përdor si pretekst.

Nuk është e vërtetë, por po marrim më të keqen: ta zëmë se e kam kapur prej fyti një lojtar, duhet të shkarkohem nga puna?! Është shumë qesharake kur e mendon, është komike. Por nuk habitem, sepse futbolli në Shqipëri është bërë për gjynah. E di që politika ndërhyn kudo, por jo të arrijë deri në këtë pikë, të fusë hundët te futbolli. E ritheksoj se shefi i klubit është një njeri shumë i mirë, por nuk është i fushës”, ka thënë trajneri Vladimir Gjoni.

Fatjon Rupi – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com