“Polemikat e Kupës për Vllaznia-Besa, ja çfarë ndodhi 38 vite më parë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2019 | 20:49

“Polemikat e Kupës për Vllaznia-Besa, ja çfarë ndodhi 38 vite më parë”

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Nisma e zotit Uvil Zajmi me ciklin e tij “Kur kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbitrat” është një ide e mirë, por ndërkohë është tepër delikate nëse momentet kritike që kanë vendosur fatin e disa prej ndeshjeve më kryesore të evenimenteve sportive nuk trajtohen në mënyrë profesionale dhe nga specialistët e vërtetë të kësaj fushe. Është një gjë shumë e mirë kur ato që kanë ndodhur i dëgjon nga vetë aktorët kryesorë, siç janë futbollistët, drejtuesit sportiv dhe njerëzit e medias. Atyre u justifikohen shpjegimet dhe interpretimet pasiononte, sepse edhe pse kanë qenë mjeshtra të vërtetë në zanatin e tyre, jo plotësisht i njohin rregullat e lojës së futbollit.

Por, ajo që bëhet e papranueshme dhe e bën zero vlerën e këtij cikli të mirë është kur një specialist, thjesht për një hakmarrje, bie viktimë e trajtimit profesional. Edhe pse cikli titullohet “Kur kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbitrat”, në asnjë rast të vetëm nuk kemi parë që autori i këtij cikli, z.Uvil Zajmi, të argumentojë se vendimi i arbitrit ka qenë i drejtë dhe i mbështetur plotësisht në rregullore, por ka paraqitur si të drejta ato që thonë të përzgjedhurit bashkëbisedues të tij…

Uvil_Zajmi

Para disa muajsh, në dy shkrime të veçanta u përpoqa që të paraqes si të vërteta ngjarje që nuk përputhen me realitetin. Por, pas një debati publik, z.Zajmi pranoi se edhe mendimi i tij për golin e shënuar në finalen e Kupës së Republikës midis Tiranës dhe Flamurtarit nga lojtari Muça i Tiranës ishte i rregullt, sepse atij topin ia dha mbrojtësi kundërshtar. Këto ditë ai përsëri bëri një shkrim për një ndeshje të gjykuar 31 vite më parë në një finale të Kupës së Republikës midis Vllaznisë dhe Besës. Nga një libër të gazetarit kavajas Fatmir Efica veçon shënimin: “Me shkodranët në Kavajë, Besa fitoi 2-1, por në Shkodër, edhe pse udhëhoqi 1-0, ndëshkohet pa të drejtë nga një gjykim tendencioz, i cili anulon edhe një gol tjetër dhe i dha Besës fatin e hidhur të një humbjeje të parashikuar”.

Nga autori i golit, z. Kazazi, veçon: “Anësori Pogaçe kishte sinjalizuar për pozicion jashtë loje golin tim. Arbitri Hoxha, pa pritur që ne të ktheheshim në fushë, fillon lojën ndërsa po festonim jashtë fushe. Ndërsa nga gazetari z.Tufa, ashtu si edhe në rastin e shkrimit të mëparshëm veçon: “FSHF, pas një mbledhjeje të gjatë, e arkivoi në heshtje atë çfarë ngjau në fushë”. Ndihet i lumtur në citimet e mësipërme dhe për t’i përforcuar, vetë z.Zajmi shkruan: “Por, ai (goli) u anulua duke mbartur në vete enigmën e një vendimi të arbitrit Arsen Hoxha, që në harkun e 60 sekondave do të kthente fatin e takimit e të trofeut”.

“Arbitrat anuluan golin e dytë, – thotë Zajmi, – dhe rifilluan lojën kur disa nga lojtarët ndodheshin jashtë fushe duke festuar”. Më poshtë, ai shkruan: “…anulimi i tij dhe rifillimi i befasishëm të lojës nga arbitri Arsen Hoxha, ndërsa lojtarët nga gëzimi ishin ende duke u përqafuar”. Citimet e mësipërme nga futbollistë apo gazetarë nuk janë të çuditshme, por kur në të njëjtën linjë me ta është edhe z. Uvil Zajmi, ai duhet të rishikojë pozicionin e tij. Për sa i përket sinjalizimit për pozicion jashtë loje të sulmuesit kavajas nga arbitri anësor, i të ndjerit Kleanthi Pogaçe, unë nuk dua të zgjatem, sepse vendimi i tij u analizua në Komisionin Qendror Tekniko Arbitrar, të kryesuar nga specialisti më i mirë i fushës së arbitrimit, zoti Sami Kothere, i cili atë vendim e quajti të drejtë. Gazetarin kavajas Efica dua ta siguroj se ndër njerëzit më të ndershëm që unë kam njohur që nga fëmijëria e deri më sot, është Kleanthi Pogaçe.

ramazan-rragami

Çdo deklarim se kishim të bënim me një gjykim tendencioz dhe të parashikuar, për mua është thellësisht i gabuar. Vetë e pranojnë se në 89 minuta gjykimi ishte shumë i mirë, por në atë 60-sekondësh sipas tyre u zbraz gjithë “tendecioziteti i parashikuar nga arbitrat”… Po si qëndron e vërteta profesionale e atij 60-sekondëshi, të cilin FSHF-ja me Komisionin Tekniko Arbitrar e quajtën të rregullt? Menjëherë pas sinjalizimit të arbitrit anësor për pozicion jashtë, arbitri kryesor vërshëlleu. Pra, nuk kemi të bëjmë me një rast që u njoh si gol i rregullt e më pas u anulua, veprim që mund të krijonte iluzionin se Besa kishte shënuar një gol dhe futbollistët kishin të drejtën e tyre morale që të shkonin në pankinë e të përqafoheshin. Lojtarët e ekipit të Vllaznisë marrin topin nga rrjeta dhe në mënyrë të rregullt venë topin në lojë.

Këtë të drejtë atyre ua jep rregullorja dhe arbitri nuk ka të drejtë të ndërpresë lojën se 2-3 lojtarë shkojnë për të protestuar tek arbitri anësor dhe një tjetër është duke u përqafuar në pankinë. (Siç thotë edhe vetë futbollisti Kazazi, në fushë ishin 5-6 lojtarë plus portieri, pra, 7 lojtarë). Edhe tre lojtarë të tjerë ishin po brenda vizimeve të fushës, por jo të interesuar për lojën, por për të protestuar vendimin e arbitrit anësor, veprim ky i ndaluar rreptësisht në rregullore. Edhe sikur arbitri kryesor të shikonte ndonjë veprim të dënueshëm të lojtarëve protestues ndaj arbitrit anësor, përsëri rregullorja e detyron atë që të lejojë vazhdimin e aksionit, e më pas të ndëshkojë lojtarët fajtorë. Në Rregulloren e Lojës janë të përcaktuara qartë rastet kur bilbili nuk ka nevojë të përdoret si në shumicën e goditjeve të lira direkt apo indirekte, rivënia fundore, goditjet nga këndi, rivëniet anësore apo në topin e diskutueshëm. Arbitri ndërhyn vetëm në ato raste kur rivëniet e topit në lojë vonohen në mënyrë të qëllimshme për të fituar kohë.

bESA vLLAZNIA

Rifillimi i lojës nga lojtaret e Vllaznisë nuk ka qenë i detyruar nga arbitri, por është pjesë e veprimeve të tyre të rregullta, që janë në përputhje të plotë me rregullat e lojës. Ajo që thotë z. Kazazi se unë urdhërova rivënien e topit në lojë nuk është e vërtetë. Nëse ka qenë ashtu si e tregon ai, për mua është një lehtësim, sepse u kam dhënë atyre sinjale të qarta se loja po rifillon. Futbolli në vetvete është një lojë që edhe rastet me dramaticitet nuk mungojnë, ashtu siç ndodhi edhe në atë ndeshje, por nuk është ai shkaku i vërtetë i humbjes së Besës. Edhe pa atë gol që u anulua, Besa ishte në një avantazh të ndjeshëm. Me pak kujdes taktik, ajo mund të dilte fituese në atë takim.

Ndërkohë, z.Zajmi duhet që profesionalisht t’u bëjë të qartë sportdashësve se ku ka gabuar arbitri Arsen Hoxha, me qëllim që cikli i tij “Kur kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbitrat” të bëhet i plotë dhe jo të përdoret nga ana e tij për të sulmuar ish-kolegët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"