Polemika e Salihit: Kampionati nuk merret me goditje standarde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2015 | 21:39

Polemika e Salihit: Kampionati nuk merret me goditje standarde

salihiKa shënuar një supergol në ndeshjen e djeshme ndaj Partizanit, megjithatë nuk ka mjaftuar që Skënderbeu të fitonte ndeshjen. Pavarësisht mërzitjes, sulmuesi është i bindur se skuadra e tij në fund të sezonit do të arrijë të fitojë kampionatin, madje, sipas tij, me diferencë pikësh. Lojtari ka thumbuar të kuqtë, duke deklaruar se titulli nuk fitohet vetëm me gola që vijnë nga goditjet standarde.

Ju ka ndodhur shpesh që të shënoni një gol shumë të bukur, por ta humbisni ndeshjen?

Është hera e parë që shënoj një gol kaq të bukur dhe të humbas më pas ndeshjen. Por, pavarësisht golit, më vjen keq për rezultatin dhe për mendimin tim barazimi do të ishte një rezultat i pranueshëm. Tani nuk na ka mbetur asgjë tjetër veçse t’i uroj suksese ekipit të Partizanit, pasi tregoi ego, lojë të mirë në fushë dhe nuk kemi pse t’ia mohojmë vlerat që ka si skuadër. Ne jemi ekip më i mirë dhe do ta fitojmë kampionatin, por sot (dje) ndoshta nuk e meritonim fitoren, por barazimi do të ishte më i drejtë.

E prisnit që Partizani të ishte një skuadër kaq e fortë?

Po, e prisnim dhe e dinim që pjesa më e rrezikshme e tyre do të ishin goditjet standarde, pasi kanë shënuar pjesën më të madhe të golave në këtë mënyrë. U përgatitëm për këtë gjë dhe prapë e pësuam në atë drejtim dhe për këtë gjë më vjen keq.

Ju ndikoi udhëtimi në Lisbonë për këtë ndeshje?

Të gjitha bashkë ndikojnë, por nuk është vetëm një problem. Përveç lodhjes, ditës jo më të mirë tonën dhe meritave të ekipit kundërshtar janë të gjitha bashkë që vijnë te kjo pikë. Jam i bindur se kualitetet dhe përbërja e dy ekipeve ka diferencë dhe jam i bindur se do ta fitojmë ne kampionatin.

Jeni koshientë që ndeshjet sa vijnë e bëhen më të vështira dhe do ta keni të vështirë me të gjitha ekipet?

Ekipet kundërshtare, përveç dëshirës dhe faktit që janë në qendër të vëmendjes, nuk mund të bëjnë më shumë, por e dimë që japin 200-përqindëshin e tyre. Gjithashtu, opinioni publik këtyre ekipeve u jep më shumë se ato kanë cilësi për t’i baraspeshuar, por kualitetet janë të dukshme në favor të Skënderbeut dhe në fund them se do fitojmë me diferencë kampionatin.

Për të fituar titullin, duhet edhe përqendrim dhe sakrificë. I keni këto?

Nuk jemi ekipi perfekt, por në këtë garë ku marrim pjesë kemi diferencë të madhe dhe kjo më bind për këtë që deklaroj.

Mund të themi se sot ka fituar grinta dhe shpirti i Partizanit?

Po. Partizani ka bërë një lojë me grintë dhe me ego shumë të madhe. Bravo i qoftë për këtë gjë dhe urime.

Çfarë keni më shumë se Partizani?

E para, që është më kryesorja, nuk fitohet kampionati me goditje standarde. Ne gabuam sot, por herën tjetër nuk do gabojmë më në rreshtim. Te Skënderbeu ka variante të ndryshme dhe lojtarë me aftë- si dhe cilësi të ndryshme që krijojnë dhe realizojnë gol. Humbëm, por barazimi ishte rezultati më i drejtë për atë që dhamë në fushë. Përveç grintës së Partizanit dhe përmbysjes, nuk kishte gjë tjetër për t’u marrë shembull.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"