Polaku është një nga objektivat e Barcelonës, Ksavi: Levandovski lojtar i madh, por flasim në fund të sezonit
Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka folur për mediat para takimit të kthimit në çerekfinalet e Ligës së Europës. Barça pret Frankfurtin dhe numri një i stolit të katalanasve i ka bërë apel skuadrës të bëjë kujdes, duke kujtuar se fusha nuk është më justifikim për paraqitjen jo të mirë në ndeshjen e vajtjes në Gjermani. Ksavi është ngacmuar edhe në lidhje me Levandovskin, por ka zgjedhur të driblojë.
EINTRAHTI – “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Për ata, kjo është një mundësi për të shkruar historinë. Por dhe ne e kemi bërë të qartë se liga e Europës është një kompeticion që duam ta fitojmë.
REALI I MADRIDIT – “Ne duhet të shohim punën tonë, historinë tonë, jo atë të Realit. Historia jonë, të paktën në këto 40 vitet e fundit na ka mësuar të fitojmë duke luajtur bukur. Nëse nuk ndodh kështu nuk kënaqemi. Nuk e di çfarë bëjnë ata në Madrid”.
LEVANDOVSKI – “Robert është një lojtar i shkëlqyer, nuk ka asnjë diskutim për këtë. Por ky nuk është momenti për të folur për Levandovskin. Duhet të jemi të fokusuar te ndeshja, për merkaton ka ende kohë”.
PRESIONI PËR KUALIFIKIMIN – “Barcelona është vetë presioni. Ne kemi për detyrim të luajmë mirë dhe të fitojmë. Duke qenë Barça duhet të jemi të shkëlqyer në gjithçka. Kjo e bën Barcelonën klubin më të vështirë, nuk krahasohet me askënd. Nuk ka asnjë klub tjetër si ne, që duam të fitojmë me lojë të bukur”.
FAKTORI FUSHË – “Për ne ky stadium është një nga çelësat e suksesit. Luajmë në fushën tonë, para publikut tonë, që gjithnjë na ka mbështetur fuqishëm. Tifozët na duhen më shumë se kurrë tani. Uroj të krijojnë një atmosferë elektrizuese. Sa për fushën nuk kemi më justifikime”, ka thënë Ksavi.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"