“Poker” Superkupash, Ançeloti: Është vetëm fillimi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 8:54

“Poker” Superkupash, Ançeloti: Është vetëm fillimi!

E kishte fituar në Itali, e kishte përsëritur në Angli, kështu kishte bërë dhe në Gjermani. Tani Karlo Ançeloti ka fituar dhe Superkupën e Spanjës, duke bërë kështu “një poker” Superkupash pas suksesit të Realit mbrëmë në Riad kundër Atletik Bilbaos.

ANCELOTI

Tekniku i Realit nuk e ka fshehur lumturinë e tij, për trofeun e pestë në drejtimin e Madridit, të parin në këtë etapë të dytë.

“Jam shumë i kënaqur, shumë i lumtur, pasi kemi fituar dy sfida duke luajtur mirë përballë rivalëve shumë të fortë”, ka thënë fillimisht Ançeloti. Trajneri i Realit më pas ka treguar çelësin e fitores së ekipit të tij, ku ndryshe nga takimi përballë Barçës, këtë herë Reali ka qenë më i orientuar drejt lojës me topin në zotërim.

“Kundër Bilbaos kishim vendosur ta kontrollonim ne lojën. E kemi bërë mjaft mirë për pjesën më të madhe të takimit, duke treguar se e kemi merituar plotësisht fitoren”, ka thënë Ançeloti. Por Superkupa është vetëm fillimi për teknikun italian.

“Mendoj se ky sukses në Superkupë do të na japë një impuls më shumë për të vijuar në pjesën e dytë të sezonit. Jemi në garë në të gjitha kompeticionet dhe do të garojmë kudo për të fituar”, ka thënë Ançeloti. Trajneri i Realit nuk ka harruar të vlerësojë me notën maksimale mesfushën e tij me në krye Luka Modriçin, autor i një goli dhe i shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"