“Poker” në miqësore, Tirana thyen Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2014 | 20:21

“Poker” në miqësore, Tirana thyen Besën

Tirana ekipTirana bënë “poker” kundër Besës. Miqësorja e luajtur dje në orën 17:45 në “Selman Stërmasi” u mbyll 4-0. Nën praninë e 600 tifozëve në shkallët e stadiumit, bardheblutë kanë fituar, por nuk kanë shkëlqyer. Pjesa e parë solli shumë raste, por kryeqytetasit shpërdoruan pa fund. Nga ana tjetër, përballë ishte një Besë modeste, e cila e pati të vështirë që të rrezikonte formacionin e “milionave” që drejtohet nga Magani. Në këtë takim spikati loja e Bakajt, i cili realizoi tri shtylla dhe një gol, por për t’u vlerësuar ishte edhe Ndikumana. Një ditë speciale ishte edhe për Kageren, i cili debutoi si bardheblu, performanca e tij ishte e pranueshme si ndeshje e parë.

 

TIRANA-BESA 4-0
GOLAT: Muça 38′, Bakaj 53′, Ndikumana 61′, Peposhi 89′
TIRANA: Frashëri, Kërçiku, Curri, Muça, Idrizaj, Bulku, Karabeci, Morina, Bakaj, Ndikumana, Bushiç; Trajner: G.Magani. (U aktivizuan: Pashaj, Taku, Kagere, Malaj, Koreshi, Gavazaj, Peposhi, Sorra).
BESA: Lika, Perja, Bitincka, Zeqo, Pelingu, Shaba, S.Shllaku, L.Muçaj, Kuli, Hasa, A.Magani; Trajner: A.Mërgjyshi. (U aktivizuan: Pëllumbi, Mezini, Sallaku, Kullolli, Çelhaka, Thaçi, Lushkja, Gjonbrati, Patozi.)
KARTONË TË VERDHË: Ndikumana/ Sallaku, L.Muçaj
GJYQTARË: E.Kaso, A.Koçiaj, Xh.Mani (Tiranë)

Ndeshja Takimi nisi qetë dhe me Tiranën që ishte e mirëvendosur në fushë. Pa kaluar shumë, bardheblutë shfaqen rrezikshëm, teksa krijojnë disa raste radhazi. Morina, Bakaj, Ndikumana e Bushiç vënë në provë portën e miqve, por sa shtylla, aq edhe gjuajtjet jashtë kuadratit i lanë shifrat e bardha. Magani aktivizoi në fushë 11-shen që po e projekton për ndeshjen e parë të kampionatit kundër Besës. Përtej përpjekjeve, goli mungon. Megjithatë, në të 38-n është Muça që mendon të ndryshojë shifrat, i cili dërgon me kokë në rrjetë një kros perfekt të ardhur nga Bulku me goditje dënimi, dhe 1-0. Ky 45-minutësh mbyllet pa surpriza. E dyta nis me lëvizje të shumta, kryesisht te miqtë. Pasi Tirana bën vetëm disa lëvizje. Pas 8 minutash, Bakaj më në fund gjen rrjetën. Në të 53-n konkretisht, Ndikumana pason për sulmuesin, i cili i ndodhur në zonë s’e ka të vështirë që ta dërgojë topin në rrjetë dhe 2-0. “Oreksi” i bardheblve shtohet, ndonëse ekipi vazhdon të shfaqë pasiguri taktikisht. Në të 61- n vjen radha e Ndikumanës. Sulmuesi nga Burundi bënë gjithçka vetë, merr krahun, driblon dy kundërshtarë, gjuan dhe gol. Loja në minutat në vazhdim sjell aktivizimin thuajse të të gjithë lojtarëve që ishin në pankinat respektive. Një ndër ta ishte edhe Peposhi, i cili në të 89-n realizon një gol mjaft të bukur. Gavazaj i jep një top të artë, mesfushori gjuan fluturimthi dhe e dërgon drejt e në portë, dhe 4- 0. Sekondat e fundit sjellin ndonjë përpjekje të kavajasve, por pa rezultat, pasi fitorja u mbetet bardhebluve.

“Gabuam në goditjet standarde”
Gugash Magani në fund të takimit të djeshëm nuk u shpreh fort i kënaqur nga ekipi, përtej rezultatit. “Temperaturat kanë qenë shumë të larta dhe ky ka qenë një disavantazh shumë i madh për të dyja ekipet. Së dyti, nuk kishte raporte të njëjta në fushë. Kishim përballë Besën, që është pas me përgatitjet krahasuar me ne. Nisur nga kjo, edhe motivimi i skuadrës nuk ishte në lartësinë e duhur. Por, në përgjithësi, përshtypjet janë pozitive, edhe pse disa lojtarë nuk janë në kondicionin më të mirë fizik. Kemi ende punë, pasi skuadra gaboi shumë në momentet që humbte topin, pasi lojtarët e kanë të qartë që duhet të mbrojmë të gjithë dhe të sulmojmë të gjithë. Diçka e tillë nuk ndodhi si duhet sot dhe duhet përmirësuar, pasi është një pikë që nuk mund ta tolerojmë në lojën tonë. Kemi pasur raste shumë të pastra që në fillim të ndeshjes, por edhe pse u shënuan katër gola, kemi gabuar shumë në repartin e avancuar. Humbëm disa raste që nuk mund të tolerohen dhe kjo s’duhet të përsëritet. Pika më e dobët goditjet standarde, fituam shumë të tilla pranë portës së kundërshtarit, por nuk shfrytëzuam asnjë prej tyre. Kjo është një pikë e dobët, pasi edhe kemi punuar shumë me to. Kagere luan në dy role, por sot (dje) e aktivizova në majë të sulmit. Pashë cilësi të mira prej tij, duke mos harruar që ka vetëm pak orë që ka punuar me skuadrën”, tha trajneri.

Mërgjyshi s’e bën dramë: Na mposhti Tirana
Ishte humbja e parë për Besën, por Artan Mërgjyshi nuk e bën dramë, pasi është i vetëdijshëm që përballë kishte një kundërshtar të fortë. “E dinim që përballë kishim Tiranën, që është gati për fillimin e kampionatit, ndërsa ne kemi ende nevojë për punë. Mora sinjale të mira në fakt, sidomos në pjesën e parë, kur luajti grupi kryesor i ekipit. Ndërsa për ata që aktivizova pjesën e dytë, kam shumë rezerva. Gjithsesi kjo ndeshje na shërbeu për të parë edhe bazën e skuadrës. E kam thënë disa herë që këtij grupi i duhen lojtarë me eksperiencë dhe në projektin tonë ka disa të tillë. Besoj se Kuli e Mihani do të jenë pjesë e skuadrës dhe gjithashtu edhe dy apo tre të tjerë”, tha trajneri i kavajasve.

Bakaj, njeriu i shtyllave
Elis Bakaj dje ka zhvilluar ndeshjen e parë si bardheblu në kryeqytet, pasi më herët është aktivizuar edhe në testet e realizuara në Ohër. Mesfushori me tipare sulmuese dalloi me lojën e tij, teksa jo vetëm shënoi, por krijoi pa fund. Madje mund të quhet “njeriu i shtyllave”, pasi në tri raste u ndal prej tyre. Lojtari, edhe pse u prit me pak skepticizëm prej tifozëve, në fund duket se ua fitoi zemrat, pasi mori edhe duartrokitjet e tyre.

Tifozët, 600 në stadium
Prisnin me mjaft interes që të shihnin Tiranën e tyre. Ishte pikërisht kjo arsyeja pse u zhvendos edhe zhvillimi i takimit në “Selman Stërmasi” (pasi më herët ishte parashikuar që të luhej në transfertë, pra në Kavajë), që ata të mund t’i shihnin në shtëpi. Nuk ishin pak në fakt, por afro 600 të pranishëm në shkallët e stadiumit. Ovazionet e tyre u ndien si kurdoherë, madje në momente të caktuara dukej sikur ishte ndeshje zyrtare, dhe jo një miqësore.

Muka dhe Sina, krah Halilit
Dy ish-kapitenë ishin të ulur në tribunën VIP. Bëhet fjalë për Devi Mukën dhe Elvis Sinën, të cilët dje kishin ardhur për të parë Tiranën. I pari kishte kohë që mungonte në fakt në stadium, dhe është mirëpritur nga tifozët. Ndërsa i dyti nuk ka shumë që i është larguar futbollit të luajtur, pasi vetëm në fund të sezonit të kaluar “vari këpucët në gozhdë”. Përkrah Mukës në tribunë, ishte edhe donatori Refik Halili.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"