“Poker” në merkato, Apolonia është gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2017 | 14:53

“Poker” në merkato, Apolonia është gati

Apolonia ka mbyllur dje merkaton e ja narit duke zyrtarizuar edhe një afrim. Bëhet fjalë për sulmuesin Florido Çaushaj, i cili gjatë pjesës së parë të kampionatit luajti me Tomorin. 19-vjeçari qëndroi në provë këto ditë dhe në fund bindi stafin teknik. Dje futbollisti firmosi me klubin. Në këtë merkato janari, skuadra afroi katër futbollistë: Muhamed Berisha, Qemal Mustafaraj, Krisel Prifti dhe Florido Çaushi.

Kristel Prifti Apolonia

Kristel Prifti, një nga 4 afrimet e Apolonisë.

Uzuni

Sulmuesi më i mirë i grupit B në pjesën e parë të kampionatit me 7 gola, Myrto Uzuni, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh: “Kampionatin e rifillojmë me një sfidë ndaj Turbinës në transfertë. Në letër duket si një ndeshje e thjeshtë. Por, nuk është aspak e tillë. Përkundrazi, do të jetë një sfidë e luftuar fortë pasi kundërshtari do të kërkojë të marrë maksimumin për shkak edhe të pozitës në të cilën ndodhet. Por, ne po e vlerësojmë si duhet këtë sfidë të rëndësishme dhe po marrim të gjitha masat e duhura që të mos gabojmë dhe të japim maksimumin në fushën e lojës.

Uzuni nuk e fsheh dëshirën për të vazhduar të shënojë edhe në këtë përballje të rëndësishme. “Kam punuar shumë gjatë kësaj periudhe për të qenë më i qetë dhe më e saktë përpara portave kundërshtare. Synimi im është që të vazhdoj të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur, pasi kështu do të kontribuoj sa më mirë për ekipin tim. Kam dëshirë që ta nis me gol këtë pjesë të dytë të kampionatit. Do të bëj të gjitha përpjekjet që unë të jem ‘njeriu gol’ në këtë sfidë dhe këtë mund ta arrij dhe me ndihmën e shokëve të tjerë të skuadrës.

Vërtet kundërshtari është në vendin e fundit në klasifikim, por kjo nuk duhet të na vërë në gjumë dhe të tolerojmë duke e quajtur të fituar sfidën pa u zhvilluar. ‘I mbyturi të mbyt’, thotë një fjalë e urtë popullore. Ndaj ne nuk duhet të merremi me kundërshtarin, por të shikojmë vetëm punën tonë dhe ta kryejmë atë sa më mirë e me disiplinë të lartë. Momentalisht, jemi të mobilizuar e të motivuar që ta fitojmë këtë ndeshje të parë të vitit”, përfundon prononcimin e tij Myrto Uzuni.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"