Pogradeci “zbraz” infermierinë, Jahaj: Pa drojë ndaj Bylisit, koha e kthesës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2021 | 15:10

Pogradeci “zbraz” infermierinë, Jahaj: Pa drojë ndaj Bylisit, koha e kthesës

Pas dy barazimeve dhe një humbjeje, Pogradeci kërkon fitoren e parë. Starti nuk është më i miri i mundshmi, por vend për dramë nuk ka. I këtij mendimi është edhe mesfushori Saimir Jahaj. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai mendon se gara ka nisur pozitivisht dhe shpresën më të madhe ia jep loja që kanë zhvilluar.

Jahaj

“Nuk janë as shumë e as pak dy pikë, e megjithatë janë dy rezultate pozitive. Keqardhje të madhe kemi për atë humbje në javën e parë, që as e kishim menduar. Megjithatë, ajo që jep shpresë është futbolli që ne prodhojmë”, u shpreh fillimisht 36-vjeçari. Liqenorët janë më të bindur se kurrë se këtë javë do të vijë trepikëshi, ndonëse përballë kanë Bylisin që udhëheq kampionatin.

Megjithatë, vend për frikë nuk ka dhe në të njëjtën linjë është mesfushori: “Do të marrim fitoren e parë sezonale. Na mungojnë pikë dhe duhet t’i rikuperojmë. Kundërshtari është i fundit, por kjo na mobilizon që të japim më shumë dhe tregojmë forcën tonë reale”.

Asnjë mungesë nuk do të ketë ekipi për këtë 90-minutësh. Nga infermieria vijnë lajme të mira për disa të dëmtuar dhe kjo u jep luksin pogradecarëve që të luajnë me artileri të rëndë. “Grupin do ta kemi më të plotë dhe kjo na jep zemër. Lojtarët që kanë pasur shqetësime janë rikuperuar dhe deri të shtunën do të jenë në formën më të mirë”, shtoi “veterani” i mesfushës.

Hysenllari ka kaluar gjendjen gripale, ashtu si Liçkollari dhe Alillari janë në formën e tyre më të mirë, së bashku me Shkullakun. Me ta në fushë, pritet që skuadra të ketë tjetër pamje dhe në “Gjorgji Kyçyku” të vijë e para fitore për këtë edicion.

ROMEO XINXIFI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"