Pogradeci vetëm për fitore ndaj Lushnjës, pritet aktivizimi i 3 sulmesve të deklaruar. Pere largon presionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2020 | 11:05

Pogradeci vetëm për fitore ndaj Lushnjës, pritet aktivizimi i 3 sulmesve të deklaruar. Pere largon presionin

Liqenorët janë para një sfide vendimtare për vazhdimësinë e pretendimeve të tyre. Gjithçka varet nga ndeshja me Lushnjën, që luhet të shtunën dhe për liqenorët vetëm fitorja ka vlerë. Nëse marrin 3 pikët ndaj rivalit direkt, pogradecarët marrin vendin e dytë dhe më pas mund të tentojnë ngjitjen në Superiore me anë të dy ndeshjeve shtesë. Edhe pse luhet pa tifozë, Pogradeci në stadiumin e tij jep diçka më shumë dhe të gjithë lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik kanë besim në marrjen e 3 pikëve.pere

PERE – Miklovan Pere, një nga titullarët më të rëndësishëm të Pogradecit, pranon se ndeshja e nesërme ka një shkallë të lartë vështirësie, por ai ka bindjen e plotë se skuadra e ka atë pjekuri për të mos u goditur nga presioni i rezultatit. “Për ne nuk ka rrugë të dytë përveç fitores dhe do të luajmë gjithçka për gjithçka. Nuk jemi nën presion dhe duke pasur parasysh përvojën që kemi, them se do ta zgjidhim ndeshjen me kujdes në çdo drejtim. Në fakt, kishim menduar se me lushnjarët do të diskutonim vendin e parë, por ja që realiteti foli ndryshe.

Në këtë ndeshje nuk ka favoritë, sepse thuajse në çdo aspekt jemi të barabartë. Jemi dy ekipe me përvojë që dinë të menaxhojnë situata të tilla. Kush do të gabojë më pak dhe kush ka formën më të mirë të momentit, do të fitojë. Ne e kemi këtë mundësi aktualisht dhe besoj se do të fitojmë. Vijmë në këtë ndeshje me gjithë kontigjentin e lojtarëve dhe kemi zhvilluar një javë shumë të mirë stërvitore. Shoh që ekipi ka motiv të fortë për të besuar te fitorja dhe natyrisht që duhet ta cilësojmë si një finale të madhe”, është shprehur Pere për “Panorama Sport”.pogradeci

EKIP SULMUES – Nga sa është parë në seancat e fundit stërvitore, trajneri i Pogradecit, Ardjan Abazaj, po ndërton një formacion me theks sulmues. Një strategji e qartë kjo për të shkuar te fitorja, që është e domosdoshme për objektivin. Pogradeci pritet të zbresë në fushë nesër me tre sulmues të deklaruar që nga minuta e parë. Po ashtu, të gjithë mesfushorët e ekipit liqenor kanë cilësi të tilla që mbështesin më shumë sulmin se mbrojtjen.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"