Pogradeci ul stekën, mesfushori Shkullaku: Në këto kushte nuk mund të themi se jemi pretendentë për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 13:48

Pogradeci ul stekën, mesfushori Shkullaku: Në këto kushte nuk mund të themi se jemi pretendentë për Superioren

Pogradeci është në kulmin e fazës përgatitore, gjatë së cilës po luajnë edhe miqësore të shpeshta. Janë gjashtë ndeshje të luajtura deri tani, ku skuadra duket shumë më ndryshe nga sezoni i fundit. Hermes Shkullaku pohon se sezonin e ri nuk mund të flitet për një Pogradec pretendent për Superioren.

shkullaku

“Miqësoret na shërbejnë për konsolidimin e ekipit. Po ndeshemi me një fenomen të ri, ku janë larguar disa prej titullarëve të sezonit të kaluar dhe të rinjtë duan kohën e tyre të përshtaten me pjesën tjetër. Duhet pranuar fakti se ata janë mjaft të talentuar dhe shumë shpejt do të jenë forcë reale”, thotë fillimisht Shkullaku.

Nga liqenorët janë larguar 6 futbollistë titullarë dhe objektivat nuk janë më për elitën. “Është e vështirë në këto kushte të themi se jemi pretendentë për Superioren, do të shohim hap pas hapi për objektivin përfundimtar”, shton më tej mesfushori pogradecar.

Afrimet nuk kanë munguar, portieri Baçi dhe mbrojtësi Tako kanë zënë një vend titullari, por trajneri Abazaj ka nevojë për lojtarë në qendër të mbrojtjes dhe në sulm. Deri tani ai ka luajtur me Kasën dhe Hysenllarin në mbrojtje dhe Topllarin dhe Dragoin në sulm. Futbollistët me përvojë, si Liçkollari, Shkullaku, Jahaj, Pura dhe Topllari pritet të udhëheqin Pogradecin sezonin e ri. Liqenorët do të luajnë miqësoren e radhës të mërkurën me Devollin, në fushën e tyre.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"