Pogradeci sfidon Lushnjën, Abazaj nga tribuna: Luftojmë për vendin e dytë, mos nënvlerësojmë kundërshtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2021 | 9:51

Pogradeci sfidon Lushnjën, Abazaj nga tribuna: Luftojmë për vendin e dytë, mos nënvlerësojmë kundërshtarët

Pogradeci do të luajë ndaj Lushnjës ditën e sotme dhe trajneri Abazaj bën thirrje për kujdes maksimal.

Abazaj222

“Të mos gjykojmë asnjë kundërshtar nga renditja, qoftë poshtë apo lart nesh. Lushnja është një ekip i ndërtuar për të qenë pretendent, pavarësisht se çfarë problemesh ka. Një ekip me potencial dhe është shumë e vështirë për ta mundur. Me këtë dua të them, se do të na duhet shumë në fushë”, thotë Ardian Abazaj. Java stërvitore ka kaluar shumë mirë, ndërkohë që në ekip nuk ka asnjë të dëmtuar.

“Kemi një kontigjent mjaft të mirë futbollistësh. E keni parë edhe në ndeshjet e shkuara, unë futa disa të rinj dhe ata e bënë mjaft mirë detyrën. Përballë Lushnjës do të filloj lojën me formacionin më të mirë” vijon Abazaj që për shkak të skualifikimit do ta njekë ndeshjen nga tribuna. Ekipi do të drejtohet nga zëvendësi i tij, Gentian Muska.

Pogradeci kërkon që në përfundim të kësaj faze të jetë në një vend mes tre ekipeve kryesuese, por Abazaj shkon edhe më lart kur thotë: “Besoj se në këto dy ndeshje, të marrim dy fitore duke shpresuar se do të gabojnë dhe kundërshtarët. Ne duhet të jemi në vendin e dytë, ky është edhe objektivi i momentit”. Pogradecarët janë vetëm një pikë larg vendit të dytë dhe tashmë kanë qetësinë, sepse nuk diskutohet më stacionimi i tyre në një nga katër vendet e para. Por, fillimisht duhet të kalojnë Lushnjën si një kundërshtar i fortë që e presin këtë të diel në shtëpi.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"