Pogradeci nuk udhëton për miqësoren, Kamza “leksione” Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 15:37

Pogradeci nuk udhëton për miqësoren, Kamza “leksione” Korabit

Kamza do të zhvillonte dje miqësoren e parë në Ohër, por planet kanë ndryshuar. Ndeshja u luajt, por kundërshtari ndryshoi. Kishin llogaritur fillimisht Pogradecin, por këta të fundit nuk e morën rrugën në Maqedoni dhe, për pasojë, drejtuesit gjetën zgjidhje të shpejtë dhe u përballën me vendësit e Korabit të Dibrës së Madhe.

kamza

Ky test i ka vlejtur trajneri Ndreu për të parë disa lojtarë që janë ende në provë, por edhe për futbollistët e tjerë. Ka qenë një pjesë e parë e zotëruar totalisht në lojë dhe në qarkullimin e topit nga Kamza, që në të 35-ën minutë ka zhbllokuar shifrat. Ka qenë një shpërthim nga krahu i djathtë i Frashërit dhe krosimi në zonë është shfrytëzuar më së miri nga ana e Rezit që ka shënuar.

Në fraksionin e dytë, ishin sërish kamzalinjtë që zotëruan lojën dhe në të 60-ën, ka qenë një asist i Mehmetit për Frashërin që nuk ka falur, duke goditur fort në rrjetë. Ndeshja u mbyll 2-0, ndërsa të shtunën është programuar testi i radhës. Sakaq, në një kohë që skuadra vijon punën në fushë, drejtuesit po mendojnë për merkaton. Gati 90% e grupit është kompletuar, përveç sulmit. Në klub po ngulmojnë për të gjetur një “bomber”.

korabi kamza

Pista për Sebino Plakun mbetet e bllokuar momentalisht, të paktën deri pas ndeshjes me Dinamon e Zagrebit. E, megjithatë, kamzalinjtë kanë nevojë imediate për të afruar një lojtar goli. Duke qenë se Kamza ka dy të huaj në ekip, siç janë mbrojtësit Leo Lelis dhe Ivan Fushtar, kjo do të kushtëzojë ekipin e Ndreut që të përqendrojë vëmendjen në tregun vendës.

Kështu që, edhe përpjekjet e disa ditëve më parë për Njazi Kuqin dështuan. Kamza është në kërkim të një sulmuesi prej kohësh, por ende nuk e ka gjetur futbollistin që do t’i garantojë golat për këtë sezon futbollistik.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"