Pogradeci në fushë ndërsa Lushnja e izoluar, flet sekretari i klubit: Masat të jenë për të gjithë njësoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 13:56

Pogradeci në fushë ndërsa Lushnja e izoluar, flet sekretari i klubit: Masat të jenë për të gjithë njësoj

Lushnja e mbylli fazën e dytë në vend të tretë dhe për momentin është jashtë zonës së Superiores dhe asaj të “play off”-it, pra jashtë objektivit. Me pezullimin e kampionatit, si pasojë e situatës së pandemisë nga Koronavirusi, lushnjarët kanë qëndruar të mbyllur në shtëpi, me dy orë liridalje.Pogradeci-Lushnja

Ndryshe ndodh me kryesuesit e grupit, Pogradecin, që ka zbritur në fushë në grup. Në një reagim për gazetën “Panorama Sport” për këtë çështje, sekretari i klubit verdhejeshil, Edison Koçi, tha se urdhëresat duhet të respektohen nga të gjithë. “Neve nuk na duhet se çfarë bën Pogradeci. Ne marrim urdhër nga qeveria dhe nga FSHF-ja. Janë institucionet që nxjerrin ekipin në fushë.

Nuk kemi punë fare me Pogradecin, për momentin çdo gjë është e mbyllur dhe jemi në pritje të urdhrit për të dalë në fushën e stërvitjes. Por kjo duhet të jetë njësoj për të gjithë. Masat duhet të respektohen nga të gjithë”, deklaroi për gazetën sekretari i klubit të Lushnjës, Edison Koçi.

EKIPI – Për lushnjarët është një tjetër fundjavë e mbyllur në shtëpi, në pritje që situata të stabilizohet dhe ekipi të zbresë në fushë. “Jam i mbyllur në shtëpinë time, që për fat të mirë e kam private dhe dal në oborr, ku bëj edhe ushtrimet që më jep stafi teknik.

Me liridalje dal pak dhe nga kodrat e qytetit, duke respektuar distancën. Presim që situata të përmirësohet deri aty sa të vijë momenti për të rinisur stërvitjen në fushë”, është shprehur mesfushori Ledjan Taullahu.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"