Pogradeci në formë, Dosti tallet me lojtarët në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2016 | 12:56

Pogradeci në formë, Dosti tallet me lojtarët në provë

Pogradeci thyen Elbasanin për 15 minuta. Liqenorët dhe verdheblutë u përballën dje në një miqësore në Pogradec që u fitua nga vendësit 2-1. Ekipi që tashmë drejtohet nga Festim Fetollari, ka bërë një paraqitje të mirë, në një kohë që në skuadër është afruar portieri Daniel Lamellari. Ndërsa, është ruajtur kryesisht grupi i një viti më parë.

Muharrem Dosti, ne Elbasani-Laci 0-2

Nga ana tjetër, tek Elbasani janë provuar shumë lojtarë, por duket se ka bindur vetëm mbrojtësi maqedonas Milevski. Trajneri i Elbasanit, Dosti, në fund të takimit, ka bërë edhe një thirrje për lojtarët që afrohen për t’u provuar në ekip që të jenë minimalisht të përgatitur fizikisht. “U bëj thirrje atyre që duan të provohen me Elbasanin, që ne nuk bëjmë futbollistë, por duam lojtarë, ndaj të vijnë të përgatitur fizikisht”, ishte shprehja e Dostit në fund të takimit.

Ndeshja

Loja ka nisur në mënyrën më të mirë me vendësit që shënojnë që në sekondën e 30-të. Është Shkullaku ai që finalizon saktë aksionin e parë dhe kalon Pogradecin në avantazh. Liqenorët marrin zemër dhe në minutën e 15-të është Pengu që dyfishon rezultatin. Një sfidë me shumë ritëm, pasi pesë minuta më vonë është Konsesaio që ngushton shifrat për Elbasanin.

Loja bëhet e bukur dhe me ritëm, ku të dyja ekipet krijojnë raste. Por, në pjesën e parë nuk ka më gola. Në fraksionin e dytë, ritmi bie disi, pasi trajnerët bëjnë shumë zëvendësime duke larguar titullarët. Pavarësisht disa rasteve, rezultati nuk ndryshon. Me Elbasanin janë aktivizuar edhe Kotorri, Gava dhe Hyshmeri, por që ende nuk dihet nëse do të qëndrojnë ose jo.

Nga ana tjetër, Pogradeci bëri një paraqitje të mirë dhe në ditët në vazhdim priten disa afrime në skuadër. Të dyja ekipet kanë parashikuar që të zhvillojnë disa miqësore në ditët në vijim, ku do të shihet dhe forma e lojtarëve.

Muharrem Dosti

Pas ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti u shpreh: “Ky test miqësor na shërbeu për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve dhe sidomos të atyre që u provuan. Mbrojtësi Milevski, për mua si trajner tregoi nivel dhe mund të qëndrojë, ndërsa sulmuesi nga Tetova, nuk e kalon testin. Me Kotorrin, Gavën, Hyshmerin dhe lojtarët e tjerë të ardhur së fundmi, për mua ekipi është i kompletuar për të qenë pretendent për Superiore”.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"